Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet janë prej kohësh në një lidhje, por duket se martesa nuk është ende në planet e afërta të aktorit. Ndërkohë, Kendall Jenner dhe Jacob Elordi thuhet se po e çojnë romancën e tyre drejt një faze më serioze, duke nxitur spekulime se mund të fejohen e të martohen para motrës së saj të vogël.
Sipas një burimi të cituar nga Page Six, kjo situatë po shkakton pakënaqësi dhe xhelozi te Kylie, e cila duket se është gati të hedhë hapin e radhës me partnerin e saj. Pavarësisht se lidhja e saj me Chalamet ka nisur shumë më herët, njerëzit në rrethin e tyre shoqëror mendojnë se Kendall dhe Elordi mund të arrijnë më shpejt drejt martesës.
Burimi pretendon se Kylie e ka bërë të qartë se e sheh martesën në të ardhmen e saj me aktorin, por nuk po i vendos atij ultimatume. Ajo shpreson që Chalamet të jetë gati për këtë hap sa më shpejt, ndërsa ai, ndonëse thuhet se është shumë i përkushtuar ndaj lidhjes, nuk duket ende i gatshëm për fejesë.
Sipas të njëjtit burim, një propozim i afërt nga aktori mund të vinte më shumë si pasojë e presionit që ndien sesa nga bindja se ka ardhur momenti i duhur. Kjo është pikërisht ajo që e bën situatën më të ndërlikuar për çiftin.
Ndërkohë, Kendall dhe Jacob Elordi thuhet se po bëhen gjithnjë e më seriozë. Sipas burimeve të Page Six, aktori është shumë i përfshirë në marrëdhënien me modelen dhe beson se ka gjetur personin e duhur. Madje, në gusht, një burim tjetër pretendoi se Kendall e konsideronte Elordin si një partner me të cilin mund të ndërtonte një të ardhme, duke rrëfyer se për herë të parë po mendonte seriozisht për martesën.
Thashethemet për romancën e tyre nisën të qarkullonin në fillim të këtij viti dhe u shtuan pas udhëtimit të tyre në Australi, në qershor. Dyshja është parë gjithashtu në Los Angeles dhe së fundmi mori pjesë në mbrëmjen e Academy Museum Gala.
Për Kylie-n, mundësia që motra e saj të fejohet para saj, ndonëse e ka nisur lidhjen shumë më vonë, thuhet se është një burim i shtuar frustrimi. Sipas burimit, ndërsa ajo dhe Timothée ruajnë një dinamikë më të çlirët, Kendall dhe Jacob po mendojnë gjithnjë e më seriozisht për të ardhmen e tyre.
Kylie ka qenë më parë në një lidhje me reperin Travis Scott, me të cilin ka dy fëmijë, Stormi dhe Aire. Çifti u nda në janar të vitit 2023, ndërsa lidhja me Chalamet u përfol për herë të parë në prill të po atij viti.
Nga ana tjetër, vetë aktori nuk e ka përjashtuar mundësinë e martesës. Gjatë një aktiviteti promovues në Londër për filmin Marty Supreme, Chalamet u pyet nëse mendonte se do të martohej ndonjëherë. Fillimisht, ai reagoi me humor ndaj pyetjes personale, por më pas u përgjigj: “Po. Po”./mxh
