Lady Gaga ka zbuluar një tjetër dimension të angazhimit të saj përtej muzikës dhe modës, duke qenë e përfshirë prej vitesh në një kompani bioteknologjike që zhvillon kërkime mbi lëkurën njerëzore.
Sipas raportimeve të “la Repubblica”, këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Germanotta, ka qenë për rreth gjashtë vite pjesë e bordit drejtues të një startup-i të fokusuar në kërkimin shkencor. Roli i saj nuk ishte bërë publik dhe nuk lidhej me markën e saj të kozmetikës, Haus Labs.
Kompania ka zhvilluar një platformë të quajtur “Yuna”, e cila synon të mbajë lëkurën njerëzore me trashësi të plotë të gjallë jashtë trupit për rreth 30 ditë. Ky është një interval dukshëm më i gjatë krahasuar me shumë modele tradicionale ex vivo, ku mostrat e indeve mund të ruhen vetëm për disa ditë.
Zgjatja e kohës së mbijetesës së indit mund t’u japë studiuesve mundësi të reja për të ndjekur procese biologjike që nuk mund të analizohen plotësisht brenda një periudhe shumë të shkurtër. Mes tyre janë ndryshimet e kolagjenit, inflamacioni dhe proceset që lidhen me plakjen e qelizave.
Sipas informacionit të raportuar, kjo teknologji mund të jetë veçanërisht e vlefshme për studimin e sëmundjeve kronike të lëkurës, mekanizmave të plakjes, shërimit të plagëve dhe kancerit të lëkurës.
Avantazhi i një modeli të tillë është se studiuesit mund të punojnë me një ind që ruan strukturën komplekse të lëkurës njerëzore, në vend që të mbështeten vetëm te qeliza të izoluara apo modele artificiale. Kjo mund ta bëjë laboratorin një mjedis më të përshtatshëm për të vëzhguar se si reagon indi ndaj proceseve të ndryshme.
Për Gaga-n, e cila ka ndërtuar edhe një markë të lidhur me kujdesin ndaj lëkurës, ky angazhim përfaqëson një aspekt shumë më pak të njohur të interesit të saj për shkencën dhe biologjinë.
Fakti që ajo ka qenë pjesë e bordit të kompanisë duke përdorur emrin e saj të vërtetë, Stefani Germanotta, tregon se përfshirja e saj ka qenë më shumë sesa një marrëdhënie promocionale. Projekti është përqendruar në kërkim dhe zhvillim shkencor, me laboratorë dhe punë akademike.
Nëse kjo teknologji arrin të zgjerohet dhe të përdoret gjerësisht, ajo mund të ndihmojë në krijimin e modeleve më të sakta për studimin e sëmundjeve dhe proceseve të ndryshme të lëkurës, duke i afruar kërkimet laboratorike me atë që ndodh realisht në trupin e njeriut./mxh
