Presidenti Bajram Begaj përshëndet vendimin e marrë nga UNESCO, për të përfshirë Lahutën shqiptare si pjesë të trashëgimisë kulturore të saj. Një nga thesaret më të çmuara të identitetit shqiptar, tashmë është e njohur dhe e mbrojtur nga e gjithë bota.
“Nga sot, trashëgimia kulturore jomateriale e UNESCO-s është edhe më e pasur. Arti i të luajturit, të kënduarit dhe punimit të lahutës, një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar, është bërë pjesë e saj”, shkruan Presidenti Bajram Begaj.
I lindur në krahinat veriore shqiptare dhe i trashëguar brez pas brezi, arti i lahutës ka mbajtur gjallë Eposin e Kreshnikëve, baladat dhe vlerat e trimërisë, besës, nderit dhe mikpritjes, një trashëgimi që bashkon hapësirën kulturore shqiptare nga Malësia e Madhe deri në Rugovë, Drenicë, Plavë e Guci.
Kjo arritje e vendit tonë vjen pas një procesi kërkimor të udhëhequr nga: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe AADF.
Puna e tyre finalizoi një dosje të sandarteve më të larta të UNESCO-s e cila u dorëzua në mars të vitit të kaluar. m.p.
