Zëvendëskryeministri britanik, David Lammy, deklaroi se i ka bërë të qartë zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, se ai gabon kur lidh vrasjen e një studenti britanik me emigracionin masiv.
Gjatë një interviste televizive të dielën, Lammy tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Vance, pas komenteve të këtij të fundit në rrjetet sociale lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit Henry Nowak në Britani.
Vance kishte deklaruar se ngjarja ishte pasojë e asaj që ai e quajti rënie e vlerave perëndimore dhe dështim për të ndalur “pushtimin masiv të emigrantëve”. Por Lammy e kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se autori i krimit nuk ishte emigrant dhe se çështja nuk kishte lidhje me migracionin.
Sipas tij, procesi demokratik dhe institucionet britanike po funksionojnë normalisht, ndërsa disa hetime janë në zhvillim për të shqyrtuar veprimet e policisë dhe procedurat e ndjekura pas ngjarjes.
Henry Nowak humbi jetën vitin e kaluar pasi u godit me thikë. Pamjet filmike të publikuara më pas treguan se policët nuk i kushtuan vëmendje thirrjeve të tij për ndihmë, ndërsa autori i krimit pretendoi në mënyrë të rreme se ishte viktimë e një sulmi racist. Autori, një shtetas britanik me origjinë sike, u dënua me burgim të përjetshëm më 1 qershor.
Lammy tha se biseda me Vance ishte miqësore, por me mospajtime të qarta. Ai shtoi se i kishte kërkuar zëvendëspresidentit amerikan të shmangte komente të tilla në rrjetet sociale, duke respektuar edhe dëshirën e familjes Nowak që tragjedia të mos përdoret për të nxitur përçarje dhe urrejtje./mxh
