Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka prezantuar aplikacionin më të ri digjital “UnëDhuroj”, një platformë e krijuar për të lehtësuar dhe organizuar procesin e dhurimit të gjakut në Shqipëri. Nisma synon të ofrojë informacion të plotë dhe akses të shpejtë për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të kontribuojnë si dhurues vullnetarë.
Aplikacioni vë në dispozicion të përdoruesve të dhëna të detajuara mbi të gjitha pikat e dhurimit të gjakut në vend, informacion për grupet e gjakut si dhe analizat e nevojshme përpara dhurimit. Përmes kësaj platforme, qytetarët mund të orientohen më lehtë, sidomos në rastet kur një i afërm ka nevojë urgjente për gjak.
Sipas Dr. Viola Shano, drejtuesja e Qendrës, kjo risi teknologjike do t’u mundësojë dhuruesve të kenë akses të menjëhershëm në çdo informacion të domosdoshëm. Ajo theksoi se përmes të dhënave të mbledhura në databazë do të realizohet edhe një vlerësim metabolik dhe kardiovaskular për secilin dhurues, ndërsa përgjigjet do t’u dërgohen me email. Sipas saj, kjo përbën një mekanizëm parandalues ndaj risqeve të mundshme shëndetësore.
Aplikacioni “UnëDhuroj” është zhvilluar në kuadër të projektit “Ripresa”, në bashkëpunim me organizatën e dhuruesve vullnetarë të gjakut, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe për të shtuar numrin e dhurimeve në vend.
Për nismën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në Facebook e cilësoi platformën si një hap të rëndësishëm drejt mbështetjes së dhurimit vullnetar.
“Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka lançuar një platformë të re digjitale, aplikacionin #UnëDhuroj dedikuar dhuruesve të gjakut, ku ofrohen informacione dhe të dhëna të plota mbi pikat e dhurimit, grupet e gjakut dhe analizat e nevojshme, duke mbështetur në këtë mënyrë rritjen e dhurimit vullnetar në vend”, shkroi Rama.
Me këtë hap, autoritetet shëndetësore synojnë të modernizojnë shërbimin e transfuzionit të gjakut dhe të krijojnë një urë më të fortë lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve që zgjedhin të shpëtojnë jetë përmes një akti solidariteti./A.D
