Last Updated on 22/04/2026 by EL
Akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi është zgjedhur anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, një nga organizatat intelektuale më prestigjioze akademike në SHBA. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ypi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një nder të madh dhe një përgjegjësi për të mbrojtur rolin e dijes dhe vlerat e iluminizmit në një moment kur ato po sfidohen.
Në reagimin e saj, ajo thekson se misioni i Akademisë, për të avancuar interesin, dinjitetin dhe mirëqenien e një shoqërie të lirë, mbetet veçanërisht i rëndësishëm sot, kur liria akademike dhe autonomia e universiteteve gjenden nën presion.
E themeluar në vitin 1780, Akademia ka pasur ndër anëtarët e saj figura historike dhe intelektuale të shquara si Benjamin Franklin, Alexander Hamilton, Charles Darwin, Albert Einstein, Martin Luther King Jr. dhe Jacques Derrida.
Ky është një tjetër vlerësim ndërkombëtar për Ypin, e cila në vitin 2024 u zgjodh gjithashtu Fellow e British Academy.

