Aktorja Blake Lively është rikthyer në qendër të vëmendjes në Hollywood, pas një zhvillimi të rëndësishëm ligjor në përballjen e saj me Justin Baldoni. Më 2 prill, një gjykatë federale rrëzoi pjesën më të madhe të padisë së ngritur prej saj lidhur me filmin It Ends With Us.
Nga 13 akuza fillestare, vetëm tre mbetën në fuqi: shkelje kontrate, hakmarrje dhe ndihmë në hakmarrje, të cilat pritet të shqyrtohen në gjyq më 18 maj. Sipas vendimit, Lively nuk konsiderohet punonjëse, por kontraktore e pavarur — një detaj kyç që kufizon mundësinë e saj për të ndjekur disa nga pretendimet për ngacmim sipas ligjit federal.
Në të njëjtën kohë, një letër private që aktorja kishte dërguar në janar 2024 drejt Producers Guild of America është rikthyer në qarkullim online. Në dokumentin prej disa faqesh, ajo kërkonte të njihej si producente e projektit, duke renditur kontributet e saj pas kamerave — nga ndërhyrjet në skenar deri te vendimet kreative për veshjet.
Ndërsa Lively e cilësonte këtë projekt si një nga më të rëndësishmit në karrierën e saj, pjesë të letrës janë bërë objekt diskutimi dhe ironie në rrjet, kryesisht për stilin dhe gjatësinë e saj./mxh
