Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, 90 vjeç, ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale do të mbahen në fillim të vitit 2027, raporton agjencia zyrtare WAFA, duke cituar presidencën.
Sipas dekretit të tij, zgjedhjet legjislative do të zhvillohen në nëntor të këtij viti. Abbas thekson gjithashtu se është “plotësisht i gatshëm” për organizimin e zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar Palestinez, të planifikuara gjithashtu për në nëntor, të cilat përfshijnë zgjedhjet legjislative brenda territoreve palestineze dhe votimin e diasporës.
Këshilli Kombëtar Palestinez (PNC) është parlamenti i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe përbëhet nga mbi 700 anëtarë nga territoret palestineze dhe diaspora.
Zgjedhjet e fundit legjislative në territoret palestineze janë mbajtur në vitin 2006, kur lëvizja Hamas fitoi ndaj Fatah-ut të Abbasit, që më parë kishte dominuar politikën palestineze. Si pasojë, Këshilli Legjislativ Palestinez nuk është mbledhur që nga viti 2007.
Mbajtja e zgjedhjeve është pjesë e reformave të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, i cili mbështet financiarisht Autoritetin Palestinez.
Në vitin 2021, Abbas kishte njoftuar zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, të planifikuara për maj dhe korrik të atij viti, por ato u shtynë pa afat për shkak të mungesës së garancive për votim në Jeruzalemin Lindor, i cili ndodhet nën kontrollin izraelit që nga viti 1967.
Në prill, palestinezët morën pjesë në zgjedhjet për këshillat bashkiakë në Bregun Perëndimor të pushtuar, në votimin e parë që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023./mxh
