Last Updated on 11/11/2026 by EL
Me afrimin e dimrit, kur reshjet e shiut mund të rikthejnë përmbytjet, institucionet në qarkun e Lezhës kanë nisur koordinimin për përballimin e situatave emergjente.
Për këtë çështje, prefekti i Lezhës thirri në takim Komisionin e Mbrojtjes Civile, ku u diskutuan masat që duhet të marrë si dhe kapacitetet për ndërhyrje në rast të situatave të vështira.
Një nga çështjet ku u kërkua më shumë vëmendje ishte gjendja e kanaleve kulluese. Pastrimi dhe mirëmbajtja e tyre konsiderohen thelbësore për të shmangur grumbullimin e ujërave në zonat e rrezikuara. Artur Topi, nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, kërkoi nga bashkitë që të përshpejtojnë ndërhyrjet dhe të sigurojnë mjetet e nevojshme për rastet emergjente.
Përfaqësues të bashkive të qarkut Lezhë dhe institucione të tjera raportuan mbi masat e ndërmarra dhe burimet që kanë në dispozicion.
Përtej planifikimit, sfida për institucionet mbetet zbatimi në terren i këtyre masave, në mënyrë që reshjet e dimrit të mos i gjejnë të papërgatitura strukturat që duhet të garantojnë sigurinë e banorëve dhe pronës së tyre./et
