Last Updated on 20/11/2025 by MB
Në argjinaturën e lagunës së Vainit në Lezhë, e cila u dëmtua mbrëmë si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, vijon intensivisht puna për rikuperimin e saj. Dhjetëra kamionë dhe mjete të rënda janë angazhuar në zonë për të mundësuar mbylljen e çarjes dhe për të ndalur përhapjen e ujërave drejt fshatrave të njësive administrative Shënkoll dhe Zejmen.
Puna në terren po has vështirësi për shkak të infrastrukturës, pasi rruga që të çon drejt argjinaturës ndodhet brenda zonës së mbrojtur të kënetës, gjë që pengon lëvizjen e shpejtë të mjeteve të rënda.
Emergjencat civile të Bashkisë Lezhë, të mbështetura edhe nga disa subjekte private që kanë vënë në dispozicion kamionë me gurë dhe inerte, po punojnë pa ndërprerje për të shmangur përmbytje të tjera në zonë.
Sipas burimeve nga Bashkia e Lezhës, puna do të vijojë edhe gjatë natës, deri në mbylljen e plotë të argjinaturës së dëmtuar. m.p.
