Bota digjitale padyshim që të ofron shumë informacion, por duket se po lë hapësirë për mangësira në fjalorin e fëmijëve.
Sipas leksikografes, Susie Dent, fjalori i fëmijëve po tkurret, e leximi po humbet terren për shkak të kohës së tepërt të shpenzuar përpara ekranit.
Dent thekson se shumë prindër kanë vërë një parambetje të fëmijëve të tyre sa i përket fjalorit. Ajo shpjegon se koha para ekranit kufizon ekspozimin e fëmijëve ndaj fjalëve dhe koncepteve të reja.
Por, problemi në thelb nuk është vetë ekrani, është ekuilibri dhe mënyra se si fëmijët e përdorin teknologjinë.
Shqetësimi në lidhje me ndikimin e teknologjive të reja në gjuhë nuk është asgjë e re.
Që nga epoka viktoriane, njerëzit kanë pasur frikë nga format e reja të komunikimit, siç janë kartolinat dhe telegrami, duke besuar se ato kufizonin elokuencën.
E njëjta tendencë po rishfaqet me internetin dhe median digjitale, megjithëse sot ekziston një larmi më e madhe mënyrash se si teknologjitë e reja mund ta përmirësojnë gjuhën, nëse përdoren siç duhet.
Sfida kryesore mbetet gjetja e së “mesmes së artë” midis ekspozimit të tepërt ndaj teknologjisë dhe përdorimit të saj krijues dhe konstruktiv, i cili mund të pasurojë fjalorin e fëmijëve.
Leximi mbetet metoda më efektive për të zhvilluar një fjalor të pasur.
Dent thekson se fëmijët që lexojnë i mësojnë fjalët e reja më shpejt dhe më lehtë, ndërsa mungesa e leximit krijon një boshllëk të konsiderueshëm në zhvillimin gjuhësor.
Bisedat e përditshme me fëmijët dhe lojërat me fjalë konsiderohen mjete po aq të rëndësishme, pasi lojërat dhe aktivitetet krijuese nxisin kuriozitetin gjuhësor dhe u japin fëmijëve mundësinë të përdorin fjalë të reja në një kontekst argëtues dhe përjetues. Përdorimi i gjuhës në një mënyrë krijuese, siç është prezantimi i fjalëve me përkufizime dhe origjinë, jo vetëm që forcon fjalorin, por edhe kultivon dashurinë për leximin dhe eksplorimin e gjuhës.
Leksikografja thekson se fëmijët mësojnë nga zakonet e prindërve të tyre.
Angazhimi i vazhdueshëm i të rriturve me ekranet, siç është leximi i email-eve të punës ose përdorimi i mediave sociale, ndikon tek fëmijët, duke zvogëluar mundësitë për dialog dhe ndërveprim gjuhësor.
Pjesëmarrja aktive e prindërve, diskutimi dhe leximi i përbashkët mund ta kompensojnë këtë fenomen.
Mësimi i gjuhëve të huaja është një tjetër mjet për zhvillimin e të kuptuarit gjuhësor. Kontakti me një gjuhë tjetër rrit perceptimin e fëmijëve për gjuhën në përgjithësi, duke përmirësuar të kuptuarit e tyre të gjuhës amtare dhe duke pasuruar fjalorin e tyre.
Edhe pse shpesh konsiderohet një detyrë e rëndë, mësimi i gjuhëve të huaja ofron përfitime të konsiderueshme afatgjata, duke rritur aftësitë e komunikimit të fëmijëve dhe mirëkuptimin kulturor.
Por, çfarë duhet bërë për të forcuar fjalorin e fëmijëve?
Ekuilibri midis përdorimit të ekranit dhe aktiviteteve tradicionale gjuhësore është çelësi i zhvillimit të shëndetshëm.
Sfida me të cilën përballen prindërit dhe edukatorët është të sigurojnë që fëmijët të kenë qasje në përvoja të pasura gjuhësore çdo ditë, duke nxitur kuriozitetin, kreativitetin dhe dashurinë për fjalët./mxh
