Pas disa ditësh negociatash, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi këtë javë se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të marrëveshjes së tij të paqes për Gazën.
Ushtria izraelite thotë se një armëpushim në territorin palestinez hyri në fuqi në orën 12:00 sipas orës lokale të premten dhe se ka filluar të tërhiqet nga pjesë të Rripit të Gazës.
Faza e parë e marrëveshjes së Trump pritet të shohë lirimin e të 20 pengjeve izraelite të gjalla dhe fillimin e dorëzimit të trupave të atyre që kanë ndërruar jetë në këmbim të rreth 250 të burgosurve palestinezë dhe 1,700 të paraburgosurve nga Gaza. Gjithashtu sasi më të mëdha ndihmash do të lejohen do të hyjnë gjithashtu në Rripin e Gazës. Më pas pritet të vazhdojnë negociatat mbi detajet e fazave të mëvonshme, referuar planit të Trump.
Çfarë pritet të ndodhë më pas?
Fillimi i armëpushimit do të thotë se ka filluar një numërim mbrapsht prej 72 orësh, gjatë të cilit Hamasi duhet të lirojë të 20 pengjet që besohet se janë gjallë. Ata duhet të dorëzohen deri në orën 12:00 sipas orës lokale të hënën.
Detajet e sakta të lirimit të tyre mbeten të paqarta, por Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka thënë se është gati të ndihmojë në kthimin e tyre. Në dorëzimet e mëparshme, ai i ka mbledhur pengjet nga Hamasi dhe i ka transferuar në Izrael. Prej andej, ata janë transportuar me helikopter në spitalet izraelite për kontrolle mjekësore dhe për t’u ribashkuar më pas me familjet e tyre.
Një kopje e marrëveshjes e publikuar nga mediat izraelite thotë se të gjithë pengjet e mbetura viktima duhet të lirohen gjithashtu gjatë afatit 72-orësh, por duket se pranon që Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze mund të mos jenë në gjendje t’i gjejnë të gjithë brenda këtij afati kohor. Mendohet se të paktën 26 pengje kanë vdekur, ndërsa fati i dy të tjerëve është i panjohur.
Marrëveshja gjithashtu thotë se dorëzimet do të zhvillohen “pa asnjë ceremoni publike apo mbulim mediatik”. Dorëzimet e mëparshme të pengjeve kanë përfshirë ceremoni të Hamasit me koreografi të lartë, diçka që qeveria izraelite dëshiron ta shmangë.
Gjatë këtij procesi, presim të shohim lirimin e rreth 250 të burgosurve palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme në burgjet izraelite dhe 1,700 të paraburgosurve nga Gaza.
Emrat e të burgosurve që do të lirohen u publikuan nga ministria e drejtësisë e Izraelit të premten. Lista nuk përfshin disa emra të profilit të lartë që Hamasi kishte kërkuar si pjesë e shkëmbimit, përfshirë Marëan Barghouti dhe Ahmad Saadat.
Nuk është e qartë nëse një vonesë në lirimin e pengjeve të ndjerë përtej orës 12:00 të hënën mund të vonojë edhe lirimin e të burgosurve palestinezë.
Që nga e premtja, rreth 600 kamionë me ndihma humanitare pritet të hyjnë në Gaza çdo ditë. Një zi buke u shpall në një pjesë të territorit për herë të parë në gusht nga ekspertë të mbështetur nga OKB-ja, të cilët thanë se më shumë se gjysmë milioni njerëz po përballeshin me kushte “katastrofike” të karakterizuara nga “uria, varfëria dhe vdekja”. Izraeli ka mohuar vazhdimisht se ka uri në territor.
Një forcë shumëkombëshe prej rreth 200 trupash e mbikëqyrur nga ushtria amerikane do të monitorojë armëpushimin, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Përbërja e forcës ka të ngjarë të përfshijë trupa nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Zyrtari tha se roli i tyre do të jetë mbikëqyrja dhe vëzhgimi i armëpushimit dhe “të sigurohen që të mos ketë shkelje ose inkursione”. Një zyrtar i dytë i lartë amerikan tha se asnjë forcë amerikane nuk do të jetë në terren në Gaza.
Si pjesë e armëpushimit, ushtria izraelite tha se ka “filluar pozicionimin” e trupave të saj përgjatë vijës së detajuar në marrëveshje, e cila, sipas një zëdhënësi të zyrës së kryeministrit, i lë asaj nën kontroll 53% të Gazës.
Një hartë e ndarë nga Shtëpia e Bardhë javën e kaluar tregon se kjo është e para nga tre fazat e tërheqjes izraelite, të cilat synohet të ndodhin gjatë fazave të mëvonshme të planit të paqes të Trump. m.p.
