Last Updated on 06/11/2026 by EL
Transparencë më e madhe, komunikim i strukturuar dhe përfaqësim i përgjegjshëm i interesave të biznesit në vendimmarrjen publike. Këto janë disa nga objektivat kryesore të kuadrit të ri ligjor për lobimin në Shqipëri, i cili synon të krijojë standarde të qarta për ndërveprimin mes institucioneve publike dhe grupeve të interesit. Pas miratimit të akteve nënligjore në shtator, diskutimet me përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile po i japin një dimension të ri informimit dhe ndërgjegjësimit mbi zbatimin e tij.
Gjatë një paneli të organizuar në kuadër të panairit Tirana International Fair, përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Rovena Sulstarova, sqaroi se ligji synon të dallojë veprimtarinë e mirëfilltë të lobimit nga komunikimi i zakonshëm administrativ apo pjesëmarrja në konsultimet publike. Sipas saj, lobimi karakterizohet nga një proces i organizuar dhe i planifikuar, përmes të cilit bizneset apo grupet e interesit bashkohen për të ndikuar në politika dhe vendimmarrje publike.

Ajo theksoi se transparenca është elementi thelbësor i këtij procesi, duke bërë të mundur që publiku të identifikojë se kush ushtron ndikim, interesat e kujt përfaqëson dhe cilat janë objektivat e tij.
Ndërsa Silvanda Ramadani, këshilltare në kabinetin e ministres për Administratën Publike, e vlerësoi ligjin si një hap të rëndësishëm në forcimin e standardeve demokratike dhe parandalimin e ndikimit të papërshtatshëm në vendimmarrje. Ajo nënvizoi se kuadri i ri krijon rregulla të qarta për marrëdhëniet mes sektorit privat dhe funksionarëve publikë, në nivel qendror dhe vendor.
Një nga risitë kryesore është krijimi i një regjistri elektronik publik, ku lobistët dhe funksionarët publikë do të raportojnë në mënyrë sistematike veprimtaritë përkatëse. Administrimi i tij do t’i besohet Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Nisma synon të krijojë një mjedis më transparent dhe të besueshëm bashkëpunimi, ku përfaqësimi i interesave të biznesit të jetë i njohur, i përgjegjshëm dhe i aksesueshëm për publikun.
