Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se “Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë sot veprime vendimtare për të ndërprerë financimin kritik, furnizimin me pajisje ushtarake dhe rrjedhat e të ardhurave që mbështesin agresionin rus”, duke e cilësuar paketën si “masat më të mëdha që nga muajt e parë të pushtimit”.
Në tetor, Bloomberg raportoi se rrjeti 2Rivers,i lidhur me tregtarët aziatikë Etibar Eyyub dhe Tahir Garayev, ka luajtur një rol kyç në mbajtjen në qarkullim të qindra milionë fuçive naftë bruto ruse, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare të vendosura pas nisjes së luftës.
Rrjeti i kompanive offshore, i njohur më parë siCoral, u zgjerua me shpejtësi përpara se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar që nga viti 2024 të dëmtonin ndjeshëm aftësinë e tij për të operuar.
Në atë kohë, avokatët e Garayev mohuan çdo lidhje të tij me Rosneft apo me Eyyub, si dhe deklaruan se ai nuk ishte përfshirë në aktivitete të lidhura me naftën që nga fundi i vitit 2022. Përfaqësuesit e kompanive të Eyyub nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Mësohet se sanksionet kanë rritur ndjeshëm koston e çdo transaksioni dhe kanë bërë që bankat, kompanitë e sigurimeve dhe firmat perëndimore të shërbimeve profesionale të shmangin bashkëpunimin me këtë rrjet, për të mos rënë vetë nën hetim nga autoritetet.
Si pasojë, rrjeti është detyruar të paguajë prime më të larta sigurimi, të pranojë rrugë transporti më të gjata dhe më pak transparente, si dhe të ulë çmimin për fuçi, ndërsa ndërmjetësit, rafineritë, operatorët e magazinimit dhe portet ose kanë refuzuar plotësisht bashkëpunimin, ose kanë rritur kostot për t’u mbrojtur nga rreziku ligjor.
Foreign Office theksoi se sanksionet ndërkombëtare i kanë hequr Rusisë rreth 450 miliardë dollarë të ardhura, një shumë që do të mjaftonte për të financuar edhe 2 vite të tjera lufte./kb