Last Updated on 26/09/2026 by EL
Pas dy ditësh në Paris, Papa Leo XIV do të mbërrijë të shtunën në mbrëmje në aeroportin Tarbes Lourdes Pyrénées, duke nisur vizitën e tij në Lourdes, një prej qendrave më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë.
Qyteti i vogël në Pirenej, pranë kufirit me Spanjën, mirëpret rreth 3 milionë pelegrinë çdo vit. Për vizitën e Papës pritet një fluks i jashtëzakonshëm, me rreth 200 mijë persona që pritet të mbërrijnë në Lourdes gjatë dy ditëve, ndërsa rreth 150 mijë prej tyre janë regjistruar për të marrë pjesë në ceremonitë në shenjtërore.
Vizita nis me meshën në shpellën e Massabielle, vendi që lidhet me shfaqjet e Virgjëreshës Mari ndaj Bernadette Soubirous në vitin 1858. Leo XIV do të jetë Papa i parë që viziton Lourdes që prej Benediktit XVI, i cili udhëtoi atje në shtator 2008, në 150-vjetorin e shfaqjeve të Virgjëreshës.
Historia e Lourdes lidhet ngushtë me Bernadette Soubirous, një vajzë e re nga një familje e thjeshtë, e cila deklaroi se kishte parë 18 herë një grua të veshur me të bardha në shpellën e Massabielle, nga shkurti deri në korrik të vitit 1858.
Sipas besimtarëve, gjatë shfaqjes së nëntë, Bernadette dëgjoi një udhëzim për të pirë dhe për t’u larë në burimin që ndodhej në shpellë. Në vitin 1862, Kisha Katolike i njohu zyrtarisht shfaqjet si ato të Virgjëreshës Mari dhe më vonë ndërtoi shenjtëroren në këtë vend.
Sot, Lourdes konsiderohet një prej destinacioneve më të mëdha të pelegrinazhit katolik. Sipas autoriteteve lokale, ai është vendi i katërt katolik më i vizituar në botë, pas Vatikanit, Bazilikës së Zojës së Guadalupes në Meksikë dhe Bazilikës së Zojës së Aparecidës në Brazil.
Pavarësisht se qyteti ka vetëm rreth 13 mijë banorë, Lourdes disponon afro 10 mijë dhoma hoteli dhe rreth 21,200 shtretër për të përballuar fluksin e vizitorëve. Gjatë vizitës së Papës, gjetja e një akomodimi të përballueshëm është bërë veçanërisht e vështirë, ndërsa disa hotele kanë vendosur çmime që kalojnë 2 mijë euro nata.
Vizita e Leo XIV zhvillohet gjithashtu në një moment kur Franca po përjeton një rritje të numrit të pagëzimeve. Gjatë pesë viteve të fundit, numri i të rriturve që janë pagëzuar është rritur me 28%, ndërsa pagëzimet e adoleshentëve janë rritur me 10%. Në vitin 2026 janë regjistruar 21,386 pagëzime, më shumë se trefishi i shifrës së një dekade më parë.
Përveç meshës dhe ceremonive fetare, Papa pritet të zhvillojë edhe një takim privat me shtatë persona që kanë denoncuar abuzime seksuale në Kishën Katolike.
Takimi vjen në një periudhë veçanërisht të ndjeshme për Kishën në Francë. Një komision i pavarur vlerësoi në vitin 2021 se rreth 216 mijë të mitur ishin abuzuar seksualisht nga priftërinj ose anëtarë të urdhrave fetarë në periudhën 1950–2020. Kur në llogaritje përfshihen edhe laikët që punonin në institucionet e lidhura me Kishën, shifra arrinte në rreth 330 mijë persona.
