Nëse Mbretëria e Bashkuar dëshiron të rifitojë respekt serioz në botë, i duhet edhe “këmba” evropiane, jo vetëm ajo transatlantike.
Timothy Garton Ash*
“Një mik që na bullizon nuk është më mik. Dhe meqë bullizuesit reagojnë vetëm ndaj forcës, që tani e tutje unë do të jem i gatshëm të jem shumë më i fortë. Dhe presidenti duhet të jetë i përgatitur për këtë.” Kështu shprehej Hugh Grant, në rolin e kryeministrit britanik që përballet me presidentin amerikan në një skenë të famshme të komedisë romantike Love Actually.
Kryeministri real britanik, Keir Starmer, është përpjekur të mbajë një qëndrim, sado të lehtë, ndaj “bullizuesit” aktual në Shtëpinë e Bardhë për luftën më të fundit amerikane në Lindjen e Mesme. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë britanike për të përkëdhelur Donald Trump që nga zgjedhja e tij, përgjigjja ndaj këtij qëndrimi modest ka qenë një lumë përçmimi. Pra realiteti nuk është Love Actually. Është Contempt Actually.
I pyetur për dallimin e hollë që bën qeveria britanike midis goditjeve mbrojtëse në Gjirin Persik (që i mbështet) dhe atyre sulmuese (që nuk i mbështet), ideologu i MAGA-s, Steve Bannon, i thotë New Statesman: “Janë budallallëqe diplomatike. O jeni aleatë, o s’jeni. Marrëdhënia speciale ka mbaruar.”
Ah, “marrëdhënia speciale”! Kanë kaluar 40 vjet që kur ish-kancelari gjerman Helmut Schmidt tha: “Është kaq speciale, sa vetëm njëra palë e di që ekziston.”
Një kritik amerikan i Trump-it më pyeti së fundmi: “Pse qeveria juaj vazhdon të përkulet?” Në thelb, duhet të pyesim pse Britania zyrtare, sidomos establishmenti i saj i sigurisë, vazhdon të mbahet fort pas SHBA-së, si një njeri i mbërthyer në një marrëdhënie abuzive.
Për të qenë të drejtë, shumë liderë evropianë kanë kaluar një vit duke sakrifikuar dinjitetin, duke i bërë lajka Trump-it. Arsyet janë të qarta: varësia e Evropës nga SHBA për Ukrainën, për sigurinë në NATO dhe, deri diku, për prosperitetin. Por mënyra se si britanikët kapen pas “Xha Samit” ka diçka veçanërisht dëshpëruese.
Shpjegimi? Historia. Etërit themelues amerikanë e shihnin veten si anglezë. Nga 1776 deri në 1917, marrëdhënia ishte më shumë “e çuditshme” sesa “speciale”. SHBA u përcaktua kundër Britanisë, por me një magjepsje të ndërsjellë. Pas një aleance të shkurtër në Luftën e Parë Botërore, SHBA u tërhoq nga Evropa.
Një marrëdhënie vërtet “speciale” ekzistoi nga 1941 deri në 1956, kur SHBA ndaloi Britaninë dhe Francën të rimerrnin Kanalin e Suezit. Nuk ishin të barabarta, por ishte një partneritet real fuqie.
Franca dhe Britania nxorën mësime të ndryshme nga Suez-i. Franca, me De Gaulle, ndërtoi pavarësi strategjike. Britania, përkundrazi, u mbështet edhe më shumë te SHBA, duke pranuar rolin e “Athinës ndaj Romës amerikane”.
Ndryshe nga Franca, Britania ndërtoi një deterrent bërthamor të varur nga SHBA dhe vendosi gjithmonë NATO-n mbi Evropën. Marrëdhënia u afrua në inteligjencë, ushtri dhe ekonomi, por ndikimi politik britanik në Uashington ra vazhdimisht.
Robin Cook tregon se Tony Blair, para luftës në Irak, tha: “Duhet të qëndrojmë pranë Amerikës, për të ndikuar.” Por sa ndikim kishte realisht?
Sot, njerëzit e Starmer-it përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë me Trump-in. Por bisedat nuk janë të vështira për Uashingtonin – janë për Londrën, sepse ajo ka pak ndikim.
Dy zhvillime e kanë përkeqësuar këtë:
E para, rënia e forcave të armatosura britanike. Ushtarë amerikanë thonë: “Ju mezi keni më një ushtri.”
E dyta, Brexit. Është e qartë se Britania është më pak e rëndësishme për SHBA pasi nuk është më pjesë e BE-së.
Në kohën e Blair-it, Britania kishte dy “këmbë”: lidhjen transatlantike dhe atë evropiane. Në 2016, ajo preu vetë këmbën evropiane. Tani Trump po i pret edhe atë amerikane.
Ndryshe nga Franca apo Gjermania, Britania nuk ka një tjetër këmbë mbi të cilën të qëndrojë.
Për këdo që e do këtë vend, është e dhimbshme ta shohë të reduktuar në objekt përçmimi apo mëshire. Megjithatë, ekziston një rrugë për të rikthyer respektin: duke ruajtur marrëdhënie të mira me SHBA, por duke u bërë një pjesë qendrore e një Evrope më të fortë.
Kjo do të thotë forcim i mbrojtjes evropiane dhe – siç sugjeron kryetari i Londrës, Sadiq Khan – rikthim në BE. Si mund të ndodhë kjo në 5–10 vjet dhe nëse është politikisht e mundur, mbetet për t’u parë.
*Timothy Garton Ash është historian dhe kolumnist politik/Përgatiti për botim: L.Veizi
