Astronauti italian i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Luca Parmitano, do të jetë evropiani i parë, që do të marrë pjesë në programin hënor, “Artemis” të NASA-s, njoftoi sot administratori i agjencisë amerikane të hapësirës, Jared Isaacman.
Parmitano, 49 vjeç, do të jetë një nga katër astronautët e misionit “Artemis III”, i cili pritet të nisë në vitin 2027.
Megjithatë, ndryshe nga planet fillestare, anija nuk pritet të udhëtojë drejt Hënës, por vetëm në orbitën e Tokës për kryerjen e testeve.
Sipas Isaacman, ekuipazhi do të përfshijë gjithashtu astronautët amerikanë, Andre Douglas, Frank Rubio dhe Randy Bresnik, ndërsa Bob Hines do të jetë në gatishmëri si astronaut rezervë, në rast emergjence.
Në vend të uljes në sipërfaqen hënore, siç ishte parashikuar fillimisht, misioni “Artemis III” do të fokusohet në testimin e lidhjes (docking) të anijes kozmike “Orion” me sistemet e uljes hënore.
Përmes programit “Artemis III”, NASA synon të vendosë një prani të përhershme njerëzore në Hënë, si një hap drejt misioneve të ardhshme në hapësirën e thellë./mxh
