Probleme të reja në kufijtë lindorë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kryeministrja lituaneze Inga Ruginienë nuk e përjashtoi mundësinë e aktivizimit të Nenit 4 të traktatit të NATO-s për shkak të incidenteve me balonat që kanë mbërritur në atë vend prej ditësh nga Bjellorusia. Që nga e hëna, Forcat e Armatosura të Lituanisë janë urdhëruar të fillojnë të marrin “të gjitha masat” për t’iu kundërvënë objekteve ajrore nga Bjellorusia, përfshirë rrëzimin e tyre. “Në këtë mënyrë, ne do të dërgojmë një sinjal se jemi gati për veprimin më vendimtar kur të shkelet hapësira jonë ajrore”, kërcënoi Ruginienë, megjithëse nuk zbuloi saktësisht se si do t’i rrëzonte ato sepse është një sekret ushtarak. “Ky është informacion i ndjeshëm. Por ushtria tashmë ka një plan veprimi. Algoritmi u zhvillua së bashku me ushtrinë, balonat do të rrëzohen”, tha kryeministrja.
Rrëzimi i objekteve ajrore
Lituania thotë se balonat dërgohen nga kontrabandistë që i përdorin ato për të transportuar cigare, por fajësoi edhe udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko. Përveç kësaj, së bashku me BE-në, Ministria e Punëve të Jashtme e Lituanisë do të koordinojë një paketë sanksionesh shtesë kundër Bjellorusisë. “Kjo do të bëhet në të ardhmen e afërt. Negociata dhe komunikim aktiv janë duke vazhduar me aleatët dhe fqinjët tanë Poloninë dhe Letoninë. Të gjitha veprimet tona janë gjithashtu të koordinuara me ta, ne nuk jemi një vend i veçantë, ne jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Çdo gjë që bëjmë, e koordinojmë me ta”, tha Ruginienë. Shpejt mbështetja erdhi nga Brukseli: “Ky është një provokim. Le ta quajmë me emrin e tij të duhur: një kërcënim hibrid. Ne nuk do ta tolerojmë atë dhe këto balona janë një arsye tjetër për të përshpejtuar iniciativën e rëndësishme të BE-së për misionin e vëzhgimit në kufijtë lindorë (Eastern Flank Watch) dhe iniciativën evropiane për mbrojtje kundër dronëve”, tha Ursula von der Leyen , presidente e Komisionit Evropian.
Tensionet
Regjimi i Lukashenkos provokon sepse udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svetlana Tihanovskaya, jeton në mërgim në Lituani, por edhe sepse shtetet baltike janë një problem në këmbë për udhëheqësin rus Vladimir Putin, i cili po përpiqet t’i destabilizojë ato në mënyra të ndryshme. Duhet të kujtojmë se më 23 tetor, avionët rusë Su-30 dhe Il-78 fluturuan 700 metra thellë në apësirën ajrore lituaneze, pranë qytetit Kibartai në kufirin me rajonin e Kaliningradit, dhe qëndruan atje për rreth 18 sekonda. Dy avionë luftarakë spanjollë Eurofighter, të cilët janë në detyrë në Lituani si pjesë e forcave aleate, u ngritën në ajër në përgjigje të incidentit, dhe Presidenti lituanez Gitanas Nauseda dhe Kryeministrja Inga Ruginienë e quajtën incidentin një shkelje të rëndë të rregullave. Të mërkurën, qeveria lituaneze planifikon të marrë një vendim për të mbyllur dy pikat e fundit kufitare me Bjellorusinë – Medininkai dhe Šalčininkai. Gjithashtu u vendos që ushtria do të fillojë të përdorë “mjete kinetike të përshtatshme” për të rrëzuar balonat bjelloruse, dhe policia dhe Roja Kufitare Shtetërore (VSAT) do të intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër kontrabandistëve.
Neni 4
Në kontekstin e tensioneve aktuale mes Lituanisë dhe Bjellorusisë, mundësia e aktivizimit të Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut ka shanse të konsiderueshme për t’u realizuar, pasi situata ka marrë përmasa serioze të sigurisë. Neni 4 i Traktatit të NATO-s përcakton që shtetet anëtare duhet të zhvillojnë konsultime të përbashkëta sa herë që një shtet anëtar ndjen se është kërcënuar në integritetin territorial, pavarësinë politike ose sigurinë e tij. Aktivizimi i Nenit 4 mund të shpie në një diskutim më të gjerë për masat që mund të merren, duke përfshirë ndihmën ushtarake, sanksionet ekonomike ndaj regjimit bjellorus dhe intensifikimin e forcave të mbrojtjes në rajon./kb
