Një armëpushim i brishtë është në fuqi, por ajo që nevojitet është një gjykatë ndërkombëtare për zgjidhje dhe dëmshpërblim. Ky është i vetmi rrugëtim drejt paqes së qëndrueshme.
Simon Tisdall
Donald Trump këmbëngul se lufta në Gaza ka mbaruar. Jo, nuk ka mbaruar. Dhuna është ulur ndjeshëm, por forcat izraelite, sipas raporteve, kanë vrarë rreth 100 palestinezë dhe kanë plagosur qindra të tjerë që prej fillimit të armëpushimit më 10 tetor. Furnizimet me ndihma ushqimore janë ende të kufizuara rëndë. Okupimi vazhdon, si në Gaza, ashtu edhe në Bregun Perëndimor. Zyrtarët amerikanë druhen se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij mund ta shkelin marrëveshjen, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën.
Njësoj, elementë të Hamasit dhe grupe rivale vazhdojnë luftimet. Organizata terroriste nuk është çarmatosur; forcat izraelite nuk janë tërhequr plotësisht nga zonat e rëna dakord. Propozimet amerikane për siguri, qeverisje dhe rindërtim mbeten të paqarta, hipotetike dhe të debatueshme. Shkaqet rrënjësore të luftës – mbi të gjitha mohimi i sovranitetit dhe shtetësisë palestineze – nuk janë adresuar. Derisa kjo të ndryshojë, gjithçka mund të shpërthejë sërish, më herët apo më vonë.
Megjithatë, për hir të argumentit, le të supozojmë – dhe të shpresojmë – se Trump ka të drejtë, dhe se paqja e qëndrueshme, disi, po lind ngadalë nga rrënojat e Gazës. Çfarë ndodh më pas? Drejtësia është ajo që duhet të ndodhë më pas. Ashtu si në çdo situatë “pas-konflikti”, të gjallët dhe të vdekurit në Izrael dhe Palestinë meritojnë një llogaridhënie.
Të gjithë ata që kanë kryer ose kanë urdhëruar krime lufte pas 7 tetorit 2023 duhet të përgjigjen për veprimet e tyre. Ka shumë viktima nga të dyja palët, vuajtjet e të cilëve kërkojnë njohje, zgjidhje dhe dëmshpërblim. Për të ulur rrezikun e rifillimit të luftës, është jetike të ketë përgjegjësi dhe fund të pandëshkueshmërisë.
Gjenocidi nuk duhet të mbetet kurrë pa ndëshkim. Është befasuese që plani “historik” 20-pikësh i Trump, që supozohet se transformon Lindjen e Mesme, nuk përmend asnjë proces zyrtar hetimor pas lufte. Po aq heshtin edhe liderët evropianë, arabë dhe britanikë, të cilët duken të gatshëm të mbulojnë me harresë ngjarjet turpëruese të dy viteve të fundit.
Një shpjegim është se, në forma të ndryshme, qeveritë e tyre ishin bashkëfajtore. Një tjetër është se lufta ekspozoi mungesën e ndikimit të tyre – dhe dështimin për të dalluar midis antisemitizmit të ashpër dhe qëndrimeve legjitime anti-izraelite dhe kundër luftës, çka u shfrytëzua nga Netanyahu dhe disa udhëheqës të diasporës hebraike.
Disa thonë se kthimi pas pengon përparimin. Pallavra. Kërkimi për drejtësi, të vërtetë dhe pajtim në Sierra Leone, Argjentinë, Ruandë, Afrikën e Jugut, Kamboxhia dhe ish-Jugosllavi tregon të kundërtën. Mësimet e nxjerra prej tyre vlejnë universalisht.
Një llogaridhënie është e nevojshme dhe urgjente. Le ta nisim nga maja. Vitin e kaluar, Netanyahu dhe ish-ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant u akuzuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje dhe urinë e qëllimshme. U akuzua gjithashtu edhe ish-komandanti i Hamasit, Mohammed Deif.
Është turp që këta dy të arratisur nga drejtësia ende nuk janë arrestuar. Izraeli duhet t’i dorëzojë – ose të përballet me sanksione ndëshkuese. Po ashtu, veprimet e aleatëve të ekstremit të djathtë të Netanyahut, si Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, të krerëve ushtarakë izraelitë dhe të mbijetuarve të Hamasit, kërkojnë hetim të shpejtë nga ICC.
Netanyahu duhet të përballet me pasojat edhe në vend. Hapja e një komisioni të pavarur hetimor për dështimet e sigurisë më 7 tetor është thelbësore. Tani që “paqja” duket se ka filluar, gjyqi i tij për korrupsion, i shtyrë vazhdimisht, duhet të përfundojë shpejt. Kërkesa e Trump që ai të falet është, në vetvete, një akt korrupsioni.
Veprimet e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Gaza kanë tronditur opinionin botëror dhe kanë dëmtuar përgjithmonë reputacionin e Izraelit. Gjykimi global është dhënë: IDF ka shkelur me vetëdije dhe në mënyrë sistematike ligjin humanitar ndërkombëtar, përfshirë Konventat e Gjenevës, dhe ka kryer krime lufte duke synuar qëllimisht civilët.
Nëse kjo është e padrejtë ndaj asaj që Netanyahu e quan “ushtria më morale në botë”, atëherë një hetim i pavarur ndërkombëtar mund të ndihmojë në sqarimin e së vërtetës. Por Hamas duhet gjithashtu të përgjigjet për krimet e veta.
Është e vështirë të ndiqen të gjitha mizoritë, e aq më tepër të gjykohen autorët. Në mars, 15 mjekë palestinezë dhe punonjës shpëtimi u ekzekutuan, sipas OKB-së. Në prill, fotoreporterja Fatma Hassouna dhe gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë nga një sulm ajror në shtëpinë e tyre në qytetin e Gazës. Në qershor, civilë që kërkonin ndihma ushqimore u qëlluan – një nga shumë incidente të ngjashme. Këto janë vetëm tre shembuj të fundit të krimeve të dyshuara të IDF-së.
Izraeli akuzohet nga OKB-ja, shumë qeveri, organizata të të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë për gjenocid në Gaza, akuzë që ai e mohon. Por, sipas disa përkufizimeve ligjore – si përdorimi i ushqimit si armë dhe zhvendosja e detyruar – aktet gjenocidale po vazhdojnë edhe pas armëpushimit.
Pas padisë së ngritur nga Afrika e Jugut dhe vende të tjera, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) konstatoi në janar se ekzistonte “rrezik i dukshëm gjenocidi”. Por një vendim përfundimtar mund të mos vijë para vitit 2028 – një vonesë e papranueshme, dhe në çdo rast, gjykata nuk ka fuqi ta zbatojë vendimin.
Ajo që nevojitet tani është një tribunal ndërkombëtar penal për Gazën, nën kujdesin e OKB-së, i ngjashëm me ato të ish-Jugosllavisë dhe Ruandës. Ai duhet të ketë kompetencë për të hetuar të gjitha aspektet e veprimeve të Izraelit dhe Hamasit gjatë luftës, përfshirë mosrespektimin e jetës civile, vrasjet, torturat dhe trajtimet çnjerëzore të pengjeve dhe të burgosurve.
Ky tribunal, në bashkëpunim me ICC dhe ICJ, duhet të shqyrtojë edhe vendimet politike të kohës së luftës, si dhe përgjegjësinë e palëve të treta, përfshirë SHBA-në dhe Iranin, që ndihmuan drejtpërdrejt palët në konflikt. Duhet hetuar gjithashtu fajësia e vendeve si Britania e Madhe, që furnizuan IDF-në me armë. Për të nisur këtë proces, Gaza duhet të hapet menjëherë për hetuesit e OKB-së dhe gazetarët ndërkombëtarë.
Një tribunal ndërkombëtar me fuqi për të ndëshkuar autorët dhe kompensuar viktimat është ilaçi i vetëm i mundshëm për tmerret që tronditën botën. Nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për drejtësi dhe vullnet politik. Një tribunal nuk mund të ndryshojë atë që ka ndodhur – por mund të ndihmojë të sigurojë që të mos ndodhë më kurrë.
Derisa të ketë llogaridhënie të plotë dhe të ndershme, lufta nuk do të ketë përfunduar vërtet.
*Simon Tisdall është komentator i çështjeve ndërkombëtare në The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
