Qeveria britanike ka ndërprerë marrëveshjen “një hyn, një del” me Francën, e cila synonte të frenonte kalimet e emigrantëve me gomone përmes Kanalit të La Manshit.
Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, skema pilot nuk po pranon më raste të reja.
Sipas raportimeve, Franca ka kërkuar që marrëveshja të zgjerohej dhe të bëhej një marrëveshje në nivel evropian.
Sipas skemës, emigrantët që hynin në Britani të Madhe pasi kalonin Kanalin e La Manshit mund të ndaloheshin dhe të ktheheshin në Francë.
Në këmbim, Britania e Madhe pranonte një numër të barabartë personash, që kishin kërkuar azil përmes rrugëve të rregullta dhe ligjore.
Deri më 1 tetor, rreth 1 500 azilkërkues ishin kthyer nga Britania e Madhe në Francë, ndërsa një numër pak më i vogël personash kishin ardhur nga Franca në Britani të Madhe përmes kësaj skeme.
Fluturimet për kthimin e emigrantëve do të vazhdojnë në javët e ardhshme për personat që tashmë janë ndaluar.
Qeveria britanike tha se kalimet me gomone janë ulur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar dhe se gjatë verës numri i kalimeve ishte më i ulëti në gjashtë vjet.
Pas Brexit-it, Britania e Madhe nuk është më pjesë e Marrëveshjes së Dublinit, e cila u lejonte vendeve evropiane të kthenin azilkërkuesit në vendin ku ata kishin hyrë fillimisht në Evropë./mxh
