Spanja po regjistron nivele të reja rekord sa i përket numrit të turistëve, duke konkurruar tashmë me hapa konkretë Francën për vendin e parë në rang global. Lufta në Iran po “largon” vizitorët nga Turqia dhe Qiproja, të cilët po zgjedhin masivisht Gadishullin Iberik për arsye sigurie. Në fillim të vitit 2026, ekspertët e turizmit në Spanjë parashikonin një rritje të moderuar për këtë vit. Megjithatë, konflikti i armatosur i SHBA-së dhe Izraelit në Iran, si dhe trazirat e mëdha që ai ka shkaktuar në të gjithë Lindjen e Mesme ka ndryshuar tërësisht të dhënat në tregun global të udhëtimeve.
Tani, Spanja konsiderohet nga turistët ndërkombëtarë si një alternativë tejet tërheqëse dhe e sigurt në krahasim me destinacionet luksoze si Dubai, por edhe përballë vendeve tradicionale të Mesdheut Lindor, si Turqia dhe Qiproja. Të dhënat zyrtare për ardhjet e vizitorëve në Spanjë duket se e konfirmojnë plotësisht këtë trend të ri. Vendi priti 9,1 milionë vizitorë ndërkombëtarë vetëm në muajin prill, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Kjo shifër ishte 5,2% më e lartë, ose rreth 450.000 persona më shumë, krahasuar me prillin e vitit 2025.
Në të njëjtën kohë, situata në Lindjen e Mesme paraqitet dramatike për industrinë lokale. Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait pësoi një rënie drastike prej 66% të numrit të pasagjerëve gjatë muajit mars. Për shkak të luftës, fluturimet dhe rezervimet ranë në nivele minimale, ndërsa xhiron e botës po bëjnë imazhet e hoteleve dhe rezorteve luksoze që kanë mbetur plotësisht të zbrazëta.
Ekonomia e Spanjës bazohet në një përqindje të lartë te turizmi, pasi ky sektor kontribuon drejtpërdrejt me 13% në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe përbën një shtyllë kritike për zhvillimin e vendit. Ritmet e rritjes së PBB-së në Spanjë – në kombinim edhe me reforma të tjera ekonomike – kanë tejkaluar së fundmi ato të fuqive si Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe.
Duke folur për BBC, Francisco Femenia-Serra, lektor i Gjeografisë në Universitetin Complutense të Madridit, shpjegon këtë fenomen: “Sa herë që ka një krizë në Mesdhe ose në Lindjen e Mesme, Spanja konsiderohet si një strehë e sigurt për t’u vizituar. Një pjesë e turistëve që normalisht do të udhëtonin drejt Turqisë apo Egjiptit për shkak të çmimeve më ekonomike, përfundojnë në Spanjë.”
Shembulli më tipik i këtij shpërthimi turistik është Benidormi, një qytet me 77.000 banorë në provincën e Alicantes në Valencia. Gjatë pandemisë Covid-19, ky qytet mbeti i shkretuar, ashtu si shumë rezorte të tjera në vend, por sot ai është rimëkëmbur plotësisht. Popullsia e Benidormit pesëfishohet në kulmin e sezonit veror dhe pritshmëritë për këtë vit janë maksimale. Fede Fuster, kryetar i shoqatës lokale të turizmit dhe pronar i një prej hoteleve më të vjetra në qytet, shfaqet mjaft optimist. “Në këto momente krizash, sulmesh ushtarake apo luftërash, rezervimet tona rriten gjithmonë,” thotë ai për BBC, duke kujtuar se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në vitin 2011, kur Lindja e Mesme tronditej nga protestat e Pranverës Arabe.
Numri i vizitorëve të huaj në Spanjë vazhdon të thyejë rekorde vit pas viti. Në vitin 2025, ky numër arriti në 97 milionë, duke e rreshtuar vendin si destinacionin e dytë më të madh turistik në botë, menjëherë pas Francës. “Mendoj se ky do të jetë një vit i jashtëzakonshëm,” shton Fuster. “Jam optimist se do të arrijmë pragun e 100 milionë turistëve në Spanjë. Nëse vazhdojmë të rritemi me këtë ritëm, shumë shpejt do të jemi numri një në botë.”
Megjithatë, ky sukses i jashtëzakonshëm vjen shoqëruar me reagime të ashpra nga qytetarët vendas për shkak të mbiturizmit (overtourism). Siç shpjegon profesori Femenia-Serra, qasja ndaj turizmit ka ndryshuar rrënjësisht që nga vitet 2016-2017, kur qytete si Barcelona filluan të vuanin pasojat e mbingarkesës. Sot, shumica e të rinjve spanjollë nën moshën 45 vjeç e shohin turizmin si një thikë me dy prerësa, që sjell përfitime ekonomike, por edhe pasoja negative në jetën e tyre të përditshme. Një sondazh pan-evropian i YouGov, i publikuar në shtator të vitit 2024, zbuloi se 28% e spanjollëve kanë një mendim negativ për turizmin e huaj – përqindja më e lartë në Europë – ndërsa dy të tretat e popullsisë ndajnë të njëjtin mendim me protestat e banorëve.
Aktualisht, autoritetet lokale po kërkojnë formula të reja për të menaxhuar situatën, veçanërisht krizën e strehimit që është rënduar nga përhapja e qirave afatshkurtra. Megjithatë, siç pranojnë ekspertët, asnjë masë e marrë deri më tani nuk ka rezultuar efektive për të ulur numrin e vizitorëve.
Nga ana e tij, menaxheri i hoteleve Fede Fuster i mirëkupton ankesat, por thekson rëndësinë jetike të kësaj industrie për vendin. “Ne themi se jemi industria e lumturisë, por duhet të ndërgjegjësohemi se ndikojmë në jetën normale të qytetarëve. Mënyra se si i mirëpresim njerëzit është çelësi i suksesit tonë. Duhet të punojmë shumë, veçanërisht në qytetet ku ekziston ndjesia se turistët nuk janë më të mirëpritur. Nëse e humbim këtë mikpritje, industria jonë ka mbaruar,” përfundon ai./fjla.al-a.d
