Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Ukrainës mundësinë e anëtarësimit në NATO në këmbim të heqjes dorë nga territoret e Donbasit që janë ende nën kontrollin e Kievit, si pjesë e negociatave për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Ky opsion është diskutuar në muajt e fundit nga i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, me zyrtarë ukrainas dhe evropianë.
Sipas burimeve të cituara nga Wall Street Journal, Kushner e ngriti çështjen javën e kaluar me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësuesit evropianë gjatë një takimi në një aeroport ushtarak në Dublin.
Propozimi doli gjithashtu gjatë bisedimeve të fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Një opsion i dytë i paraqitur nga Uashingtoni do të parashikonte në vend të kësaj ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës aktuale të frontit, duke i lënë një pjesë të Donbasit Kievit, në këmbim të garancive ndërkombëtare të sigurisë përmes një traktati me Uashingtonin dhe, potencialisht, me vendet evropiane.
Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund luftës.
“Putin dëshiron t’i japë fund luftës, ai dëshiron që marrëveshja të arrihet dhe po lodhet nga kjo situatë”, tha presidenti, sipas Axios./k.m
