Cara Delevingne ka folur hapur për betejën e saj me alkoolin dhe pasiguritë që shoqëruan vendimin për të hequr dorë prej tij. Aktorja dhe modelja 34-vjeçare tregoi se, kur nisi të qëndronte esëll, u bë tepër dyshuese për mënyrën se si e perceptonin të tjerët dhe nëse ata besonin vërtet se kishte ndryshuar.
Në një intervistë për revistën People, gjatë festës GQ Men of the Year në Los Angeles, ajo pranoi se për një kohë të gjatë ndiente nevojën t’u provonte njerëzve se po e merrte seriozisht këtë vendim.
“Kur fillova të qëndroja larg alkoolit, u bëra tepër dyshuese nëse të tjerët besonin se isha vërtet esëll apo nëse duhej t’i bindja se po e merrja seriozisht përpjekjen time”, rrëfeu ajo.
Megjithatë, sot Delevingne thotë se ka mësuar të mos shqetësohet më për gjykimin e të tjerëve.
“Ata që e dinë, e dinë. Dua thjesht ta jetoj sërish jetën dhe ta shijoj atë, në vend që të mendoj vazhdimisht se si dukem apo si më perceptojnë të tjerët.”
Ajo ndau edhe një këshillë për personat që përpiqen të heqin dorë nga alkooli, duke i nxitur të kërkojnë mbështetjen e njerëzve që kanë kaluar të njëjtën përvojë dhe të mos bien pre e ndjenjave të fajit dhe turpit.
“Mos kërko shumë nga vetja. Ji i arsyeshëm dhe i mirë me veten. Trajtoje veten me mirëkuptim”, këshilloi ajo.
Cara Delevingne u regjistrua me dëshirën e saj në një qendër rehabilitimi në vitin 2022, ku nisi një program 12-hapësh për të kapërcyer varësinë. Një vit më vonë, ajo e cilësoi vendimin për të lënë alkoolin si një zgjedhje që “ia kishte vlejtur çdo sekondë”.
Sot, aktorja e sheh jetën pa alkool jo thjesht si një arritje personale, por si një ndryshim që e ka ndihmuar të rifitojë kënaqësinë e të jetuarit./mxh
