Last Updated on 11/08/2026 by EL
Këshilltari për Sigurinë në Partinë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente në Lurë, duke deklaruar se situata nga zjarret ka dalë jashtë kontrollit.
Sipas tij, pas më shumë se tetë orësh, flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi, duke djegur qindra hektarë pyje e kullota dhe duke rrezikuar banorët, banesat, bagëtitë, si dhe fshatin Fushë-Lurë.
Në reagimin e tij, Gjunkshi kërkon shtimin e forcave zjarrfikëse, angazhimin e Forcave të Armatosura, ndërhyrje ajrore me helikopterë dhe avionë, si dhe një plan të qartë për mbrojtjen ose evakuimin e banorëve. “Qytetarët kanë nevojë për shtetin në terren, jo për deklarata nga zyrat e institucioneve. Mobilizoni kapacitetet që dispononi dhe dërgoni ndihmën ajrore tani! Lura nuk duhet braktisur!“, shkruan ai.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 mbeten aktive. Sipas ministrisë, në Gurë-Lurë po zhvillohet një operacion me forca zjarrfikëse, vullnetarë dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, të vendosur pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit, ndërsa mjetet ajrore ndërprenë operacionet gjatë mbrëmjes dhe ndërhyrja vijon nga toka. Autoritetet theksojnë se strukturat e mbrojtjes civile mbeten në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive./et
