Presidenti Francez Emanuel Macron ka paralajmëruar se kërcënimi i sulmeve hibride nga Rusia kundër Evropës është intensifikuar.
Në një konferencë për shtyp në pallatin Elize, Macron tha se kishte urdhëruar një plan shtesë për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe vendet e industrisë së mbrojtjes përballë këtij kërcënimi.
“Qëllimi është të na frikësojnë dhe të thyejnë përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën. Rezultati do të jetë krejt i kundërt. Ne nuk jemi të frikësuar sepse e dimë se siguria jonë sot dhe nesër është në rrezik në Ukrainë”.
Macron tha se Franca ishte shënjestruar nga sulmet hibride ruse në javët e fundit, pa dhënë detaje por tha se nuk do të mbeteshin pa përgjigje.
Deklarata e presidentit të Francës vjen në një kohë që një numër gjithnjë në rritje liderësh të bllokut kanë paralajëmruar se Moska mud të jetë duke përgatitur sulme për të testuar angazhimin e tyre ndaj Ukrainës.
Më herët edhe kryeministri polak Donald Tusk, paralajmëroi se Rusia mund të përgatisë sulme me dronë dhe raketa. Paralajmërimi bazohet në vlerësime të shërbimeve të inteligjencës për një rrezik real për ndërhyrje në krahun lindor të NATO-s.
Sipas kryeministrit polak, sulme të tilla mund të paraqiten nga Rusia si incidente aksidentale, me synimin për të dobësuar reagimin dhe unitetin e Aleancës./mxh
