Në përfundim të samitit të G7-së në qytetin francez të Evianit, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për rregullim më të fortë ndërkombëtar të Inteligjencës Artificiale (IA), duke paralajmëruar se ndikimi i saj mbi demokracitë dhe shoqëritë nuk mund të injorohet më.
Presidenti Macron theksoi se vendet e botës dëshirojnë të përfitojnë nga mundësitë që ofron IA, duke përfshirë rritjen e produktivitetit, përmirësimet në sektorin e shëndetësisë dhe avancimin e digjitalizimit.
Megjithatë, sipas tij, teknologjia po sjell edhe sfida serioze që kërkojnë përgjigje të koordinuara në nivel global.
“Askush nuk mund të injorojë më ndikimin e Inteligjencës Artificiale mbi demokracitë dhe shoqëritë tona”, deklaroi presidenti francez, duke nënvizuar nevojën për krijimin e rregullave të përbashkëta ndërkombëtare.
Komentet e Macron vijnë në një kohë kur po rriten shqetësimet për përdorimin e modeleve të avancuara të IA-së.
Ai përmendi nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve demokratike, veçanërisht pas vendimit të fundit të ”Anthropic” për të kufizuar aksesin në disa nga modelet e saj më të avancuara për shtetas të huaj.
Sipas Macron, rregullimi më i mirë i sistemeve të avancuara të IA-së është i domosdoshëm për të parandaluar që këto teknologji të bien në duart e regjimeve autoritare ose individëve që mund të kërcënojnë sigurinë kibernetike dhe stabilitetin e shoqërive demokratike.
Presidenti francez bëri të ditur se disa fuqi demokratike do të nisin krijimin e një platforme bashkëpunimi për të vendosur standarde të përbashkëta në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike.
Nisma synon të krijojë një qasje të koordinuar për zhvillimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të kësaj teknologjie që po transformon ekonominë dhe jetën e përditshme në mbarë botën./mxh
