Franca ka nisur dislokimin e rreth një duzine anijesh luftarake në Mesdhe, Detin e Kuq dhe potencialisht në Ngushticën e Hormuzit, në kuadër të mbështetjes mbrojtëse për aleatët e saj të kërcënuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë një vizite në Qipro, presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi praninë e shtuar ushtarake, ndërsa pritet të vizitojë edhe aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”, e cila mbërriti këtë fundjavë në Mesdheun lindor.
Në një deklaratë për mediat në Pafos, pas takimit me presidentin e Qipros Nikos Christodoulides dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, Macron theksoi se çdo sulm ndaj Qipros duhet të konsiderohet si sulm ndaj gjithë Evropës.
“Kur Qipro sulmohet, atëherë sulmohet edhe Evropa”, u shpreh Macron, duke iu referuar incidentit të javës së kaluar kur dronë u interceptuan teksa po drejtoheshin drejt ishullit.
Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, i cili ka përfshirë edhe vende të Gjirit Persik dhe Libanin, pas sulmeve të grupit militant Hezbollah ndaj Izraelit.
Megjithatë, shtetet evropiane deri tani kanë pasur një rol të kufizuar në menaxhimin e krizës, ndërsa përplasjet kanë filluar të ndikojnë edhe në rrugët detare të transportit dhe në tregjet globale të energjisë, me çmimin e naftës që ka kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi.
Presidenti francez tha se qëllimi i pranisë ushtarake është garantimi i lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare, veçanërisht në Mesdheun lindor dhe në Detin e Kuq, nga Kanali i Suezit deri në ngushticën Bab el-Mandeb.
Aktiviteti kryesor detar i Bashkimit Evropian në rajon është misioni “Aspides”, i nisur në fillim të vitit 2024 për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet e militantëve Houthi, të mbështetur nga Irani, të cilët kanë ndërmarrë sulme në mbështetje të Hamasit në luftën me Izraelin.
Macron bëri të ditur se Franca, e cila aktualisht ka një anije luftarake në këtë mision, do ta rrisë praninë në dy të tilla. Në total, Parisi planifikon të dislokojë tetë anije luftarake, një grup aeroplanmbajtëse dhe dy anije helikoptermbajtëse në rajon.
Sipas tij, forcat franceze mund të shtrijnë operacionet edhe në Ngushticën e Hormuzit, për të mbështetur dhe mbrojtur anijet tregtare që kalojnë në këtë korridor të rëndësishëm energjetik./mxh
