Ylli i muzikës duket se po mendon për një rikthim në Los Angeles dhe tashmë i ka vënë syrin një prej pronave më të famshme të Hollywood-it. Madonna është interesuar për vilën luksoze të Angelina Jolie, e cila është nxjerrë në shitje për 29.85 milionë dollarë në muajin maj.
Madonna mund të rikthehet së shpejti në Los Angeles dhe duket se ka nisur të mendojë edhe për një shtëpi të re.
Këngëtarja, e cila së fundmi festoi 68-vjetorin në Greqi, ka shprehur interes për vilën madhështore të Angelina Jolie-t në kodrat mbi Hollywood. Edhe pse aktualisht nuk ndodhet në Los Angeles, për Madonna-n është organizuar një vizitë virtuale e pronës përmes një videoje, raporton New York Post.
“Njerëzit e Madonna-s telefonuan dhe u organizua një vizitë”, tha një burim për gazetën, duke përshkruar zonën si një komunitet të mrekullueshëm në kodrat mbi Hollywood, ku jetojnë shumë personazhe të famshëm.
Interesi i Madonna-s nuk i ka surprizuar agjentët imobiliarë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një pronë me një histori të rrallë, e lidhur ngushtë me Hollywood-in e vjetër.
Vila dikur i përkiste regjisorit legjendar Cecil B. DeMille, i cili e bleu në vitin 1916. Katër vjet më vonë, ai zgjeroi pronën duke blerë edhe pasurinë ngjitur, ku kishte jetuar më parë Charlie Chaplin.
Dy shtëpitë u bashkuan përmes një korridori prej xhami, ndërsa sot janë sërish prona të ndara. Familja DeMille e mbajti pasurinë deri në fund të viteve 1980.
Angelina Jolie e bleu vilën në qershor të vitit 2017 për 24.5 milionë dollarë, rreth nëntë muaj pasi kishte paraqitur kërkesën për divorc nga Brad Pitt./mxh
