Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, përdori emisionin e tij radiofonik “Con Maduro de Repente” për të riafirmuar sovranitetin e Venezuelës dhe për të nxjerrë në pah mbështetjen politike të Kinës, në një kohë tensioni të shtuar rajonal.
Gjatë një segmenti më të lehtë, ku bisedonte me moderatorët, Maduro kaloi në një mesazh më të fortë për mbrojtjen kombëtare. “Nëse do të na duhet të përdorim luftën e armatosur, do të jetë për të luftuar për paqen, për sovranitetin, për atdheun tonë,” tha ai, duke shtuar se shpresonte që vendi të vazhdonte “ashtu si jemi.”
Maduro gjithashtu theksoi mbështetjen diplomatike të Kinës, duke pohuar se Pekini “mbështet publikisht të drejtën e Venezuelës për të ushtruar sovranitetin dhe për të ruajtur paqen,” ndërsa godiste nota mbi një metalofon.
Komentet e tij vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake në Karaibe dhe Paqifik. Që nga fillimi i shtatorit, trupat amerikane kanë kryer të paktën 21 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, duke vrarë mbi 80 persona, ndërsa presidenti Donald Trump ka rritur presionin ndaj qeverisë së Madurós. Washington akuzon Madurón për lehtësimin e trafikimit të drogës, një pretendim që lideri venezuelas ka mohuar vazhdimisht./mxh
