Britania e Madhe po përballet me një ekonomi në vështirësi dhe një klimë të përgjithshme pesimizmi. Në këtë situatë, shumë sy janë kthyer nga Andy Burnham, ish-kryetari i Bashkisë së Greater Manchester, i cili konsiderohet nga mbështetësit si një nga figurat që mund të frymëzojë një ringritje ekonomike dhe sociale.
Gjatë drejtimit të tij, ekonomia e rajonit të Greater Manchester u rrit me ritme pothuajse dy herë më të shpejta se mesatarja kombëtare. Qyteti, dikur simbol i rënies industriale, është shndërruar në një qendër moderne me biznese të reja, kafene, bare vere dhe sipërmarrje të pavarura që kanë ndryshuar ndjeshëm jetën urbane.
Banorët thonë se transformimi është i dukshëm. Lucy Ellison, e cila u rikthye në Manchester pas 12 vitesh pune në Shtetet e Bashkuara dhe Amsterdam, shprehet se qyteti është pothuajse i panjohshëm krahasuar me atë ku u rrit.
Megjithatë, ky ndryshim nuk ndodhi brenda natës. Richard Leese, ish-drejtues i Këshillit të Qytetit të Manchesterit, thotë se në vitet ’80 qyteti ishte në një gjendje pothuajse të pashpresë. Sipas tij, rimëkëmbja erdhi falë një strategjie afatgjatë dhe punës së vazhdueshme të mijëra njerëzve.
Leese thekson se Manchesteri jo vetëm që u zhvillua ekonomikisht, por rifitoi edhe besimin në vetvete. Ai beson se pikërisht ky optimizëm është elementi që Andy Burnham mund t’i sjellë sot Britanisë.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtin optimizëm. Disa ekonomistë kanë kritikuar analizën e Burnham për problemet ekonomike të vendit, duke argumentuar se propozimet e tij janë të kufizuara dhe nuk përbëjnë një zgjidhje të plotë për sfidat me të cilat përballet ekonomia britanike.
Pavarësisht debateve, transformimi i Manchesterit mbetet një nga shembujt më të spikatur të rigjallërimit urban në Britaninë e Madhe dhe një model që shumë shpresojnë të shtrihet edhe në nivel kombëtar./mxh
