Last Updated on 18/02/2026 by EL
Jeruzalem – Këtë herë në Uashington dërgon ministrin e tij të Jashtëm, sepse në kohë fushate elektorale është më mirë të mos fotografohesh duke shtrënguar dorën me të dërguarin turk apo atë të Katarit. Kështu, Benjamin Netanyahu heq dorë nga një takim i ri me Donald Trump, do të ishte takimi i tetë në trembëdhjetë muaj, dhe në samitin e nesërm paraqitet Gideon Sa’ar.
Megjithatë, ishte vetë Bibi ai që vendosi firmën nën letrën e aderimit në “Board of Peace”, pra Këshillin e Paqes, me dorën pothuajse të detyruar nga presidenti amerikan, i cili nuk do të kishte pranuar një refuzim. Vendet Përveç Izraelit, njëzet e gjashtë vende kanë pranuar deri tani të bëhen pjesë e “Board”-it si shtete themeluese. Mes tyre janë Turqia, Katari, Jordania, Arabia Saudite, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Argjentina.
Të vetmet vende europiane: Bullgaria (në pritje të ratifikimit parlamentar) dhe Hungaria. Italia merr pjesë si vëzhguese. Kundërshtimi i Netanyahut ndaj pranisë së turqve dhe katarasve, të cilët i ka akuzuar si “sponsorë të terrorizmit”, nuk e ndaloi Trumpin, i cili i konsideron aleatë në rajon. Struktura Struktura është piramidale, me në krye “faraonin” Donald, i cili si president i “Board”-it i ka garantuar vetes pothuajse pushtete absolute: vetëm ai mund të ftojë një anëtar, ka të drejtë vetoje mbi të gjitha vendimet dhe edhe “të krijojë, modifikojë apo shpërndajë organet vartëse”.
Këto organe janë: Komiteti Ekzekutiv, ku bëjnë pjesë ndër të tjerë Marco Rubio, sekretari amerikan i Shtetit; Tony Blair, ish-kryeministër britanik dhe ish-i dërguar i Kuartetit për Lindjen e Mesme; Jared Kushner, këshilltar dhe dhëndër i Trump; Steve Ëitkoff, negociator i besuar i presidentit.
Në terren, pra në Gaza, do të veprojë bullgari Nickolay Mladenov, ish-koordinator i Kombeve të Bashkuara për procesin e paqes, i cili do të shërbejë si lidhje mes Komitetit Ekzekutiv me drejtim amerikan-perëndimor, një Komiteti Ekzekutiv më të zgjeruar për Gazën dhe Komitetit Kombëtar për administrimin e Gazës, të drejtuar nga Ali Sha’at, i cili ka qenë ministër i Autoritetit Palestinez në Ramallah.
Ambicia Është pikërisht ai, së bashku me një ekip teknokratësh palestinezë, që do të duhet të menaxhojë 363 kilometrat katrorë në këtë fazë tranzicioni. Sikur kjo mision të mos ishte mjaftueshëm kompleks, ambicia e Trump e sheh Këshillin me “një potencial të pakufizuar”, pra të shtrirë në pjesën tjetër të botës, në konkurrencë me Kombet e Bashkuara.
Paratë Trump ka njoftuar se të ftuarit kanë premtuar tashmë “pesë miliardë dollarë”: 1,25 miliardë secili do të duhej të vinin nga Emiratet, Katari, Kuvajti dhe Shtetet e Bashkuara do të garantonin po aq. Llogaritë ende nuk përputhen: Bashkimi Europian dhe Banka Botërore vlerësojnë se për rindërtimin e territorit të shkatërruar nga dy vite lufte do të nevojiten të paktën 50 miliardë dollarë. 80 për qind e ndërtesave janë të dëmtuara, rrënojat fshehin mjete shpërthyese të pashpërthyera dhe materiale toksike.
Mbi dy milionë palestinezë jetojnë të grumbulluar në kampe me çadra dhe mes rrënojave. Forca shumëkombëshe Trump parashikon vendosjen e ushtarëve ndërkombëtarë për të stabilizuar Gazën; për momentin vetëm Indonezia është gati të dërgojë 8.000 ushtarë. Trupat izraelite mbeten të dislokuara në më shumë se gjysmën e Rripit dhe Netanyahu nuk është i gatshëm t’i tërheqë ato derisa territori të çmilitarizohet. Forca shumëkombëshe do të vepronte në zona të paqëndrueshme: pavarësisht armëpushimit, përplasjet dhe bombardimet janë të përditshme. Mbi të gjitha, ajo do të duhej të çarmatoste Hamasin.
Amerikanët mund të pranonin që organizata të mbajë pushkët automatike dhe të dorëzojë armatimet me të cilat mund të godasë Izraelin, ndërsa kryeministri izraelit i konsideron edhe kallashnikovët dhe pjesën e tuneleve ende të pashkatërruara si kërcënime./ Marrë nga Corriere della Sera
