dryshe nga shumë udhëheqës të tjerë që e mirëpritën marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës midis SHBA dhe Iranit, e cila ka dëmtuar ekonominë globale, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk pati ndonjë deklaratë në lidhje me marrëveshjen, një shenjë se ai ka pak fjalë të mira për të thënë për të.
Të tjerë nxituan ta kritikonin atë. Reagime të forta shpërthyen nga politikanët në Izrael pas arritjes së marrëveshjes, e cila u cilësua si një kërcënim për sigurinë e vendit dhe goditje ndaj interesave strategjike të Tel Avivit.
Me anë të një postimi në X, ministri i sigurise kombëtare u shpreh se Izraeli nuk është një republikë bananesh.
“Ne e duam Shtetet e Bashkuara dhe jemi mirënjohës ndaj Presidentit Trump, por Izraeli nuk është një republikë bananesh. Kjo marrëveshje nuk na detyron. Ne nuk duhet të pranojmë asgjë më pak se çmontimin e Hezbollahut”, tha Ben-Gvir.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz ka deklaruar se IDF do të qëndrojë në Liban, Siri dhe Gaza ‘për një kohë të pacaktuar’, shkruan Washington Post.
“Ne kundërshtojmë një tërheqje të IDF-së nga Libani pavarësisht të gjitha presioneve aktuale dhe të ardhshme. Kryeministri Netanyahu ia bëri të qartë këtë Presidentit të SHBA-së Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë, dhe unë gjithashtu ia sqarova këtë Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth. IDF e vërteton këtë qëndrim nga një këndvështrim profesional i sigurisë”, tha Katz.
Edhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, paralajmëroi se Izraeli duhet të vazhdojë përpjekjet kundër Iranit pavarësisht marrëveshjes.
“Marrëveshja me Iranin është e keqe për Izraelin dhe për gjithë botën e lirë. Ne do të duhet të vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Irani të mos zotërojë kurrë armë bërthamore”, tha Smotrich.
Kritikat nuk erdhën vetëm nga qeveria, pasi edhe opozita izraelite e kundërshtoi ashpër marrëveshjen, duke mospranuar kufizimet ushtarake në Liban.
Yair Golan, kreu i partisë Demokratike, e kritikoi ashpër kryeministrin për dështimin në mposhtjen e Iranit dhe Hezbollahut, ndërkohë që humbi ndikimin mbi Trump./mxh
