Në një takim të Fondit Monetar Ndërkombëtar, komisionerja për zgjerimin Marta Kos dha detaje mbi propozimet që do të bëjë publike më 30 shtator për procesin e zgjerimit.
“Komisioni Evropian do të prezantojë një qasje më ambicioze ndaj integrimit gradual. Duhet të përqendrohemi veçanërisht në sektorët strategjikë që do ta formësojnë kontinentin tonë për dekada të tëra. Energjia, transporti, lëndët e para kritike, rrjetet dixhitale dhe infrastruktura e inteligjencës artificiale. Vendimet që merren sot do të përcaktojnë se si do të duket Evropa pas 10 ose 20 vitesh. Nuk duhet që të rrezikojmë që anëtarët tanë të ardhshëm të ndërtojnë varësi nga shtete të tjerë që bien ndesh me interesat tona afatgjata”, tha komisionerja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos.
“Njerëzit kanë frikë se nëse pranojmë shtete të reja të sapoardhurit, do të na shkatërrojnë nga brenda. Kur unë për herë të parë në nëntorin e kaluar përmenda termin “Kuajt e trojës”u kritikova shumë nga disa vende. Tani po flasim se si të bëjmë masa mbrojtëse që kur të pranojmë anëtarë të rinj, të jemi ende të aftë që të marrim vendime. Sundimi i ligjit sjell më tepër siguri për investimet e huaja, dhe të kenë një pozicion të barabartë nëse do të shkojnë në gjykatë”, tha Kos.
“Ne kemi parë në Evropën Qendrore dhe Lindore ku zgjerimi solli prosperitet për miliona qytetarë. Kjo është rruga që tani duam të përsërisim me shtetet aktuale kandidate. Këtë vit tregtia dypalëshe mes Gjermanisë dhe Polonisë do të jetë më e lartë se ajo mes Gjermanisë dhe partnerit tradicional, Francës. Kjo është për mua prova se si Polonia, Sllovenia ose Bullgaria ka përparuar dhe njerëzit atje po jetojnë më mire sesa më parë”, tha Kos.
Për Kos krahas të djathtës ekstreme rrezik për zgjerimin në BE mbeten Rusia dhe Kina.
“Rusia po përpiqet të na shqetësojë, të ndalojë që shtetet kandidate të bëhen anëtarë të BE-së. Për shembull, kemi parë, një ditë pasi njoftuam se filluam përgatitjen e traktatit të pranimit për Malin e Zi, numri i sulmeve kibernetike u rrit dhe dezinformimi është forcuar. Kina po fshihet disi me investime tek shtetet kandidate duke pritur që sapo ato të jenë në BE, kompanitë e tyre të jenë pjesë e tregut të përbashkët. Pra, ata po veprojnë ndryshe ndaj për momentin nuk e shohim fushatë dezinformimi nga ana e tyre”, tha Kos.
Kërkoi mbështetje nga liderët Evropianë për procesin e zgjerimit.
“Unë mund të jem komisionerja më e mirë në pjesën teknike të zgjerimit. Pa shtetet anëtare, dhe pa udhëheqësit e tyre që angazhohen dhe flasin pozitivisht për zgjerimin është shumë e vështirë që unë të ec përpara. Kam shpresa të mëdha për Këshillin Evropian qe mbahet në mesin e muajit tetor, ku pres që nga udhëheqësit të marrim angazhime konkrete”, tha Kos.
Nga rajoni ynë Mali i Zi synon që të jetë anëtari i 28-të i BE-së ndërsa Shqipëria synon të anëtarësohet në vitin 2030./mxh
