Kryebashkiaku i Krakovit ka shpallur ditë zie në qytetin jugor të Polonisë, pas sulmit me armë zjarri që la të vdekur gjashtë persona dhe plagosi 15 të tjerë të shtunën pasdite.
Viktimat janë katër gra dhe dy burra, ndërsa mes të plagosurve ndodhen edhe dy efektivë policie. Sulmi u krye nga një 24-vjeçar me origjinë polake, i cili dyshohet se veproi i vetëm. Ai është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Sipas raportimeve të radios polake RMF FM, autori mbërriti në Sheshin Kryesor të Krakovit me një automjet tip Subaru të zi, pa targa, nga ku hapi zjarr ndaj kalimtarëve me një pushkë gjysmëautomatike AR-15.
Kryebashkiaku Łukasz Gibała njoftoi se periudha e zisë do të zgjasë deri të mërkurën, më 11 nëntor. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale të shtunën në mbrëmje, ai shkroi: “Sapo kam firmosur urdhrin për shpalljen e një periudhe zie në Krakov deri më 11 nëntor”.
Krakovi, qyteti i dytë më i madh në Poloni, vizitohet çdo vit nga miliona turistë. Sheshi Kryesor historik, i rrethuar nga kafene dhe ndërtesa me vlera të rëndësishme arkitekturore, është një nga atraksionet kryesore dhe hapësirat më të frekuentuara të qytetit. I ndërtuar në vitin 1257, sheshi ndodhet në zemër të qytetit të vjetër mesjetar, ku gjenden edhe ndërtesa e njohur Cloth Hall dhe Bazilika e Shën Marisë./mxh
