Last Updated on 04/10/2026 by Anisa
Një person është arrestuar në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.
Ornado Çeta alias Ceta, 40 vjeç, banues në Tiranë, është dënuar me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim për disa vepra të rënda penale.
Sipas Policisë së Shtetit, Çeta është dënuar nga Gjykata e Apelit e Triestes, Itali, me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim për një sërë veprash penale.
Ndaj tij rëndojnë dënimet për veprat penale “Vjedhje të rënda”, “Mashtrim”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”, “Plagosje”, “Kanosje” dhe “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”.
Nga dënimi i dhënë nga autoritetet italiane, personit të arrestuar i kanë mbetur për të vuajtur 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë burgim.
Pas arrestimit, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për përfundimin e procedurave ligjore që do të mundësojnë ekstradimin e tij drejt Italisë./ad
