Last Updated on 18/09/2026 by Anisa
Mbreti Charles III po përballet me më shumë kritika nga vëllai i Princeshës Diana, Charles Spencer, me Pallatin e Buckinghamit që po përgatitet për ditë të tëra me zbulime nga kujtimet e tij rrëfyese.
Fragmenti më i fundit paraprak nga libri akuzon Princin e atëhershëm Charles se dukej “tepër i gëzuar” dhe “si një fitues i llotarisë”, menjëherë pas vdekjes së Dianës në një aksident me makinë në Paris në vitin 1997, një vit pasi ata finalizuan divorcin e tyre.
Spencer, një kont, familja aristokrate e të cilit ka lidhje brezash me familjen mbretërore të Britanisë, shkruan se ishte në shtëpinë e tij në Afrikën e Jugut me fëmijët e tij kur mësoi “në mes të natës” nga motra e tij Jane Fellowes se Diana kishte pësuar një aksident me makinë. Më vonë mësoi, “pasi u përshkallëzua tmerri”, se ajo kishte vdekur.
“Telefoni binte vazhdimisht. Princi Çarls më kapi teksa kaloja shkallët lart. Ndryshe nga telefonuesit e tjerë, të cilët ishin të shtangur, mezi në gjendje të artikulonin ngushëllimet dhe ofertat e tyre për ndihmë, ai dukej jashtëzakonisht i gëzuar, si një fitues lotarie, mbaj mend të kem menduar në atë kohë”, shkroi ai.
Gjatë telefonatës, shkroi Spencer, Charles i tha atij se i kishte informuar Princat William dhe Harry, atëherë 15 dhe 12 vjeç, për vdekjen e nënës së tyre.
“Duke parë prapa tani, dyshoj se reagimi i parë i princit duhet të ketë qenë të mendojë më shumë se si kjo ngjarje mund ta lironte atë të martohej me gruan që donte, në vend që të vlerësonte humbjen e një gruaje që nuk e donte. Mund të jetë e vështirë të ndiesh shumë keqardhje për një ish-bashkëshort, ose ata që kujdesen thellësisht për të, pas një divorci të hidhur”, shtoi ai.
Spencer gjithashtu përshkroi në detaje ndjenjën e të qenit i izoluar nga protokolli mbretëror gjatë organizimeve të funeralit të Dianës, duke pretenduar se zyrtarët mbretërorë refuzuan një kërkesë për të luajtur muzikën e dashur nga Diana, “Requiem”-in e Mozartit – gjatë funeralit të saj.
“Diana mbeti e tyre, në sytë e Pallatit Buckingham, edhe pas vdekjes. Familja e saj, pavarësisht divorcit të saj, thjesht pritej të bindej në përputhje me çdo vendim mbretëror”, shtoi ai.
Në valën e parë të zbulimeve nga libri në fillim të kësaj jave, Spencer pretendoi se Charles i kishte thënë se Diana do të harrohej së shpejti në ditët pas vdekjes së saj.
Pallati i Buckinghamit lëshoi një deklaratë jashtëzakonisht të fortë duke mohuar pretendimet e Spencerit dhe duke sugjeruar se pikëllimi për motrën e tij të madhe mund të ketë ndikuar në kujtesën e tij./mxh
