Last Updated on 05/10/2025 by adminfjala
Nuk jam akuzuar kurrë për ndonjë krim, e aq më pak ndjekur penalisht. Përvoja ime përmbledh fatin e ashpër të jo-shtetasve në SHBA.
Amandla Thomas-Johnson*
Kur mbërrita në SHBA katër vite më parë për të nisur doktoraturën në Universitetin Cornell, kurrë nuk e imagjinoja se do të isha personi që do të ndiqej nga autoritetet e emigracionit. Nga përvoja ime si britanik, pasaporta britanike dukej se kishte një lloj imuniteti – thuajse si ai i diplomatëve. E më kishte lejuar për vite me radhë të punoja i padëmtuar si gazetar në rajonin e trazuar të Sahelit në Afrikën Perëndimore.
Gjërat filluan të shkonin keq pas pjesëmarrjes në një protestë pro-Palestinë në kampusin e universitetit në shtator të vitit të kaluar. Protesta jonë ndaloi një panair punësimi – sepse përfshinte stenda nga Boeing dhe L3Harris, kompani që furnizonin Izraelin me armë për të zhvilluar fushatën e tij gjenocidale në Gaza. Edhe pse qëndrova vetëm pesë minuta, më ndaluan hyrjen në kampus. Kjo ndëshkim u ndje si arrest shtëpiak, sepse shtëpia ime ndodhej në kampusin e Cornell në Ithaca, Nju Jork. Më lejuan të qëndroja aty, por nuk mund të hyja në mjediset e universitetit.
Në janar, ndërsa Donald Trump hyri në zyrë me një valë urdhrash ekzekutivë kundër studentëve protestues jo-shtetas, u detyrova të largohesha nga shtëpia dhe u fsheha në një vend të largët, në shtëpinë e një profesori, nga frika e autoritetit të Emigracionit dhe Doganave (ICE). Tre muaj më pas, u vetë-deportova në Kanada, pastaj fluturova për në Zvicër. U detyrova të largohesha pasi një mik i imi, që kishte qëndruar me mua në Ithaca, u ndalua në një aeroport në Florida – në anën tjetër të vendit – dhe u mor në pyetje për vendndodhjen time. Nuk u ktheva në Mbretërinë e Bashkuar, sepse raportet për arrestime të gazetarëve pro-palestinezë atje më frikësuan.
Shpresoja që ardhja në Zvicër do të ishte fundi i kësaj përndjekjeje. Por dy javë më pas, mora dy email-e shqetësuese.
I pari ishte nga Cornell, që më njoftonte se qeveria amerikane kishte anuluar statusin tim të vizës studentore. I dyti, nga Google, që më informonte se kishte “marrë dhe iu përgjigjur një kërkese ligjore” duke dorëzuar të dhënat e mia te Departamenti i Sigurisë Kombëtare. Këto email-e mbërritën me një diferencë prej 90 minutash.
Kjo më konfirmoi se isha vëzhguar. Dhe se nëse përpiqesha të hyja sërish në SHBA, me shumë gjasa do të arrestohesha nga ICE – ashtu si shumë studentë të tjerë protestues. Por sekreti që mbulon këto procedura dhe mungesa e çdo procesi ligjor për t’i sfiduar ato ngre më shumë pyetje se sa përgjigje.
A kishte pasur komunikim mes Cornell dhe qeverisë amerikane para se të më anulohej viza? (E pyeta universitetin për këtë dhe ende nuk kam marrë përgjigje.)
Pse qeveria amerikane donte të dhënat e mia nga Google?
Pse u vu në shënjestër pikërisht unë?
A ndikonin vitet e mia si gazetar që kisha mbuluar “luftën kundër terrorizmit” të udhëhequr nga SHBA?
Apo ndoshta ishte për shkak se jam i zi dhe mysliman?
Mbase kurrë nuk do t’i marr të gjitha përgjigjet. Por një hetim i Amnesty International hedh dritë mbi mënyrat alarmante se si qeveria e SHBA ka përdorur teknologji të errëta të inteligjencës artificiale për të mbikëqyrur dhe vlerësuar masivisht studentë dhe emigrantë jo-amerikanë.
Sipas Amnesty, softueri Babel X, i krijuar nga kompania Babel Street me qendër në Virginia, kërkon rrjetet sociale për përmbajtje të lidhura me “terrorizmin” dhe përpiqet të parashikojë qëllimin e postimeve. Ai përdor kërkime të vazhdueshme për të monitoruar informacione të reja që nga momenti i kërkimit fillestar. Është e mundur që raportimet e mia – për gjithçka nga Guantánamo te sulmet me drone në Sahel dhe roli i shërbimeve sekrete britanike në luftën civile në Libi – të jenë sinjalizuar si të dyshimta. Amnesty thekson se këto teknologji probabilistike kanë shkallë të lartë gabimi, “shpesh janë diskriminuese dhe të njëanshme, dhe mund të çojnë në keqinterpretimin e përmbajtjeve pro-palestineze si antisemitike.” Babel Street nuk iu përgjigj kërkesave të Amnesty për koment.
Për më tepër, ekziston edhe softueri ImmigrationOS i kompanisë Palantir, që krijon një dosje elektronike për çdo çështje emigracioni, duke lejuar autoritetet të lidhin dhe krahasojnë hetime të ndryshme. Me të, ICE mund të gjurmojë edhe vetë-deportimet. Ky sistem u aktivizua në prill – të njëjtin muaj që u largova nga SHBA – dhe ndoshta kjo shpjegon pse autoritetet më ndaluan hyrjen në vend pikërisht në atë moment. (Palantir i tha Amnesty se produktet e saj nuk synojnë specifikisht studentët protestues dhe nuk përdoren për shkelje të të drejtave.)
Gjithë kjo funksionon në një hapësirë të ashtuquajtur “parakrim” – një mentalitet i krijuar që nga nisja e “luftës kundër terrorizmit” në SHBA: kap tani, pyet më vonë.
Derisa sot, nuk jam akuzuar kurrë për ndonjë krim, e aq më pak për antisemitizëm.
Siç e thekson edhe një ankesë e dorëzuar së fundmi nga Klinikës Ligjore e Universitetit të Çikagos, në emrin tim dhe të tetë protestuesve të tjerë jo-shtetas, për tetë raportues të posaçëm të OKB-së – unë thjesht kam ushtruar të drejtën për fjalë të lirë sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane për të protestuar kundër masakrimit të njerëzve të pafajshëm. Është qeveria e SHBA që ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe imorale.
Raporti i Amnesty nxjerr në pah mënyrat se si korporatat e mëdha teknologjike dhe shtetet e fuqishme po bashkëpunojnë për të survejuar, kontrolluar dhe dëbuar njerëz të racave të tjera dhe emigrantë, si edhe disidentë politikë dhe gazetarë. Kjo po ndodh në mënyrë të dukshme në Gaza, ku “lufta algoritmike” e Izraelit e ka kthyer territorin në një shkretëtirë kufomash dhe rrënojash, duke i lënë palestinezët pa strehë dhe pa ushqim. Hetimi tregon gjithashtu se SHBA po përdor teknologjinë për t’u mohuar azilkërkuesve dhe emigrantëve të drejtat më themelore të njeriut, duke i mbyllur në paraburgim arbitrar përpara se të kenë mundësinë të mbrojnë veten apo të kërkojnë siguri.
Edhe pse nuk jam aspak penduar për veprimet e mia, tani jetoj në një pasiguri nga muaji në muaj, me kushte jetese të paqëndrueshme dhe me dyshime të vazhdueshme nëse do ta përfundoj dot doktoraturën përpara se të më ndërpritet financimi. Kam qenë i detyruar të kaloj nëpër pengesa të panumërta për të pasur akses në trajtim mjekësor jetik. Mbase kam qenë naiv që mendova se, si një shtetas britanik me theks londinez, që studioja në një universitet të Ivy League, do të isha i mbrojtur nga këto tmerre. Por pak para se të largohesha nga SHBA, berberi im afrikano-amerikan, Joe, më tha: “Ti je thjesht i zi.” Pikërisht ngjyra e lëkurës sime e bëri statusin tim në SHBA të kushtëzuar. Dhe fakti që jam edhe mysliman, dhe që shkruaj për këto identitete, nuk e ndihmon aspak çështjen time. Nuk është aspak për t’u habitur që, në një vend me histori të skllavërisë racore dhe islamofobi pas 11 Shtatorit, të shënjestrohesh.
Me këtë teknologji në duart e një administrate që ka pak respekt për mbrojtjet kushtetuese, duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm. Ajo që eksperimenton fillimisht mbi pakicat, shumë shpejt përhapet në shoqërinë e gjerë.
*Amandla Thomas-Johnson është gazetar dhe shkrimtar që mbulon temat e zezërisë globale dhe Islamit bashkëkohor/ The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
