Ish-sulmuesi i Napolit dhe Argjentinës, Ezequiel Lavezzi, po kalon një periudhë të vështirë në jetën e tij, ndërsa rrëfimi i tij ka shqetësuar tifozët për gjendjen shëndetësore.
Lavezzi, tashmë 41-vjeçar, ka folur për vështirësitë me të cilat është përballur. Ai kishte përfunduar në spital për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe vazhdon të marrë trajtim mjekësor.
Në një rrëfim të sinqertë, ish-futbollisti tregoi se një nga shtysat më të mëdha për të luftuar me këtë periudhë ka qenë djali i tij.
“I thashë vetes se nuk mund t’ia shkatërroja jetën djalit tim. Më është dashur të kaloj nëpër disa momente të vështira dhe ende po i nënshtrohem trajtimit sot. Por kam jetuar periudha shumë komplekse”, u shpreh Lavezzi.
Argjentinasi pati një karrierë të suksesshme, duke luajtur për klube si Estudiantes, Genoa, San Lorenzo, Napoli dhe Paris Saint-Germain.
Me fanellat e Napolit dhe PSG-së, Lavezzi fitoi disa trofe, ndërsa ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Argjentinës./et
