Last Updated on 10/11/2026 by Anisa
Një 42-vjeçar është vënë në pranga këtë të martë nga policia, pasi u kap i armatosur dhe me lëndë narkotike me vete në zonën e Liqenit të Çekrezës, në Kamëz.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë Zyber Bami, 42 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik nga policia i janë konstatuar një armë zjarri, pistoletë me mulli, me municione, si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Ndërkohë, ky shtetas rezulton se ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për mbikëqyrjen e shtetasve me precedentë, të cilët përbëjnë rrezik për kryerje të veprave penale, administruan informacion se në afërsi të liqenit të Çekrezës, lëvizte një shtetas i armatosur.
Efektivët organizuan menjëherë punën, ku në kuadër të operacionit të koduar “Kontigjenti”, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. B., 42 vjeç, të dënuar më parë, për armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjetën 1 armë zjarri (pistoletë me mulli) me municion, si dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ad
