Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka vijuar me qëndrimin se aleanca ushtarake Kroaci-Kosovë-Shqipëria, paraqet “kërcënim” për vendin e tij.
Vuçiç tha se Kroacia zotëron fuqi ushtarake të jashtëzakonshme, duke përfshirë skuadrilje të sofistikuara, raketahedhës të shumëfishtë dhe një ushtri të pajisur mirë, si dhe disa fabrika të industrisë së mbrojtjes.
Ai shtoi më tej se edhe Tirana po armatoset gjithnjë e më shumë, ndërsa Prishtina po merr mbështetje nga vendet perëndimore dhe Turqia.
“Doktrina jonë është se duhet të jemi mjaftueshëm të fortë për t’i penguar ata nga çdo agresion kundër Serbisë. Ne nuk do të provokojmë, por do të bëj gjithçka që Serbia të mos vuajë siç ka ndodhur në të kaluarën”, u shpreh Vuçiç.
Ndër të tjera ai tha se ndërkombëtarët i kanë ofruar çmimin Nobel në këmbim të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Por sipas tij këtë nuk do ta bëjë kurrë.
“Të huajt më kanë thënë mijëra herë, ‘do ta fitosh Çmimin Nobel, thjesht njihe Kosovën si e pavarur. Shiko nga e ardhmja, mos shiko prapa, mos shiko nga e kaluara. Nuk mund të heq dorë nga kjo dhe nuk do të heq kurrë”, tha Vuçiç./mxh
