Zonja e Parë shprehu gjithashtu ngushëllime për familjet e ushtarakëve amerikanë të rënë në detyrë, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë ndonjë operacion të caktuar ushtarak. “Trimëria dhe përkushtimi i tyre do të kujtohen gjithmonë”, tha ajo.
“Shpreh dëshirat e mia të sinqerta për një shërim sa më të shpejtë dhe të lehtë për të gjithë të plagosurit. Jeni në mendimet dhe lutjet e mia gjatë këtyre kohëve sfiduese”, shtoi ajo.
Trump, e cila në rolin e saj zyrtar angazhohet për çështjet e fëmijëve, deklaroi gjithashtu: “SHBA-të qëndrojnë pranë të gjithë fëmijëve në mbarë botën. Shpresoj që së shpejti paqja të jetë e juaja.”
Plani që ajo të drejtonte mbledhjen ishte njoftuar në fund të muajit të kaluar.
Gjatë takimit, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së, Rosemary DiCarlo, theksoi se “kur shpërthejnë konfliktet, fëmijët janë ndër ata që preken më rëndë”.
“Këtë të vërtetë na është rikujtuar gjatë dy ditëve të fundit”, u shpreh ajo.
Sipas saj, shkollat në Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar etj, janë mbyllur dhe kanë kaluar në mësim online për shkak të operacioneve të vazhdueshme ushtarake në rajon.
Ajo përmendi gjithashtu raportimet nga Irani për një sulm ndaj një shkolle fillore. Zyrtarë iranianë kanë deklaruar se një goditje ajrore ka prekur të shtunën një shkollë fillore në qytetin Minab, duke shkaktuar 153 viktima. Irani ka fajësuar SHBA-në dhe Izraelin për sulmin.
Para nisjes së mbledhjes, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, u shpreh se “është thellësisht e turpshme dhe hipokrite që, në ditën e parë të presidencës së saj në Këshillin e Sigurimit, Shtetet e Bashkuara të thërrasin një takim të nivelit të lartë për mbrojtjen e fëmijëve”.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane ka bërë të ditur se po heton raportimet mbi incidentin, ndërsa ushtria izraelite ka deklaruar se “nuk ka dijeni” për ndonjë operacion të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në atë zonë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të hënën se “Shtetet e Bashkuara nuk do të shënjestrojnë qëllimisht një shkollë”./kb