Last Updated on 06/10/2026 by Monika
Qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni ka kaluar pengesën e parë në parlament për reformën e diskutueshme zgjedhore, pasi Dhoma e Deputetëve votoi në favor të nenit të parë të projektligjit.
Në votim, 226 deputetë mbështetën nenin e parë, 147 votuan kundër, ndërsa tre abstenuan.
Qeveria e Melonit e ka lidhur votëbesimin me të tre nenet e projektligjit.
Votimet për dy nenet e tjera pritet të zhvillohen të martën dhe të mërkurën.
Nëse qeveria humbet një prej votimeve, mundësia e zgjedhjeve të parakohshme mund të rikthehet në skenë, ndërsa zgjedhjet e rregullta parlamentare në Itali janë planifikuar për vitin e ardhshëm.
Reforma parashikon që koalicioni që fiton të paktën 42 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të marrë një bonus të konsiderueshëm mandatesh.
Konkretisht, fituesit do t’i shtoheshin 70 vende në Dhomën e Deputetëve dhe 35 vende në Senat.
Meloni argumenton se ndryshimi do t’u mundësonte qeverive të kenë një shumicë më të qëndrueshme edhe kur nuk marrin më shumë se 50 për qind të votave, duke reduktuar luhatjet dhe ndryshimet e shpeshta të qeverive në Itali.
Por opozita e kundërshton reformën, duke e cilësuar atë si një sistem të hartuar për të favorizuar kryeministren dhe koalicionin e saj.
Projektligji është pagëzuar nga kritikët me emrat “Stabilicum” dhe “Melonellum”.
Meloni ka mbajtur të bashkuar koalicionin e saj të përbërë nga tre parti të krahut të djathtë dhe konservator për pothuajse katër vjet, duke e bërë atë qeverinë më jetëgjatë në Itali që prej Luftës së Dytë Botërore.
Pas votimeve të veçanta për tre nenet, parlamenti pritet të zhvillojë të enjten votimin përfundimtar dhe të fshehtë për të gjithë ligjin.
Opozita shpreson që disa deputetë të koalicionit qeverisës të votojnë kundër.
Senati italian e ka miratuar tashmë projektligjin në mesin e shtatorit./mxh
