Deklarata e Kishinaut, e miratuar sot nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Evropës, ka sjellë një zhvillim të rëndësishëm në debatin për menaxhimin e migracionit në kontinent. Sipas kryeministres italiane Giorgia Meloni, dokumenti njeh legjitimitetin e shteteve për të aplikuar zgjidhje inovative në menaxhimin e flukseve migratore, përfshirë edhe ngritjen e qendrave të riatdhesimit në vende të treta, një model që ajo e lidh me marrëveshjen Itali–Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, Meloni e cilësoi këtë vendim si një hap të madh përpara dhe një konfirmim të qasjes së qeverisë së saj në këtë fushë.
“Deklarata e Kishinaut, e miratuar sot nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Evropës, njeh legjitimitetin e kombeve për të zbatuar zgjidhje inovative në menaxhimin e flukseve të migracionit, përfshirë qendrat e riatdhesimit në vendet e treta, sipas modelit shqiptar të Italisë,” shkroi Meloni.
Ajo theksoi se ky zhvillim është rezultat i një procesi të nisur nga Italia në bashkëpunim me Danimarkën, duke përmendur edhe kryeministren daneze Mette Frederiksen si partnere në këtë nismë.
Sipas saj, ajo që një vit më parë ishte objekt debatesh dhe kundërshtimesh, sot është shndërruar në një parim të pranuar gjerësisht në nivel evropian.
“Ky është një rezultat fryt i një udhëtimi që Italia e realizoi me guxim dhe vendosmëri, së bashku me kryeministren daneze Frederiksen,” u shpreh ajo.
Meloni shtoi gjithashtu se qasja e qeverisë së saj për menaxhimin e migracionit të rregullt po shndërrohet në standard evropian.
“Qasja jonë, e ndjekur me seriozitet dhe qëndrueshmëri nga qeveria jonë, tani është bërë edhe qasja e Evropës,” përfundoi ajo.
Ky zhvillim vjen në një moment kur politikat e migracionit mbeten një nga çështjet më të debatueshme në Bashkimin Evropian, me shtetet anëtare të ndara mes qasjeve më të ashpra të kontrollit dhe atyre më liberale për pranimin e emigrantëve./A.D
La Dichiarazione di Chisinau, adottata dai 46 Stati membri del Consiglio d’Europa, riconosce la legittimità per le Nazioni di soluzioni innovative nella gestione dei flussi migratori, come gli hub di rimpatrio in Paesi terzi, sul modello avviato dall’Italia in Albania.
È un… pic.twitter.com/ggFq9ymCBy
— Giorgia Meloni (@GiorgiaMeloni) May 16, 2026
