Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri një surprizë presidentit amerikan Donald Trump gjatë samitit të G7-tës, në Francë, duke i dhuruar një fanellë të personalizuar të kombëtares gjermane të futbollit me rastin e 80-vjetorit të tij.
Megjithatë, reagimi i Trump dukej i ftohtë. I ulur në tryezën e negociatave për një takim pune për Ukrainën, presidenti amerikan i shtrëngoi dorën Merz dhe iu drejtua menjëherë pjesëmarrësve të tjerë, ndërsa kancelari gjerman qëndroi me fanellën në dorë për disa çaste, përpara se t’ia dorëzonte.
Më pas, Trump e ngriti fanellën për fotografët, duke treguar pjesën e pasme të saj, përpara se ta vendoste pranë vetes në tavolinë.
Fanella mbante mbiemrin “Trump” dhe numrin 47, në referencë me faktin se ai është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një prej vendeve organizatore të Kupës së Botës në futboll, e cila nisi javën e kaluar.
Në një postim në rrjetin social X, Merz publikoi fotografi nga momenti i dorëzimit dhe i uroi Trump “80-vjetorin”.
“Në fund të fundit, jemi në të njëjtin ekip”, shkroi ai në anglisht.
Presidenti amerikan, Donald Trump mbërriti në qytetin turistik francez, Evian, pranë Liqenit të Gjenevës, një ditë pas ditëlindjes së tij të 80-të, të cilën e festoi duke organizuar një ndeshje UFC në ambientin e Shtëpisë së Bardhë.
Merz i ka bërë edhe më herët dhurata të personalizuara Trump, në atë që vëzhguesit e konsiderojnë, si një përpjekje për të fituar simpatinë e presidentit amerikan.
Gjatë vizitës së tij të parë në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, kancelari gjerman i dhuroi Trump certifikatën e lindjes së gjyshit të tij nga ana e babait, të vendosur në një kornizë të artë.
Ai i kishte dhuruar gjithashtu një shkop golfi, të cilin Trump e provoi në Zyrën Ovale.
Dhurata e fundit e Merz, ka ngjallur edhe reagime kritike. Disa kritikë e cilësuan fanellën si “një dhuratë të çuditshme”./mxh
