Një meteorit i rrallë i gjetur në shkretëtirën e Saharasë mund të përmbajë provën e parë të drejtpërdrejtë të ekzistencës së një protoplaneti të zhdukur, me përmasa të krahasueshme me Hënën, i cili u shkatërrua miliarda vite më parë gjatë një përplasjeje gjigante. Në këtë përfundim ka arritur një ekip studiuesish nga Universiteti i Kolorados në Boulder, në një studim të publikuar në revistën Earth and Planetary Science Letters.
Sipas studiuesve, më shumë se 4.5 miliardë vjet më parë, kur Sistemi Diellor sapo po formohej, një trup qiellor i madh, ndoshta sa Hëna ose edhe sa Marsi, lëvizte në orbitë mes gazit dhe pluhurit që rrethonin Diellin e ri. Ai u shkatërrua gjatë një përplasjeje katastrofike dhe për miliarda vjet nuk mbeti asnjë gjurmë e tij, përveç disa copëzave që përfunduan në Tokë si meteorite.
Zbulimi bazohet në analizën e meteoritit Northwest Africa (NWA) 12774, i gjetur në Saharanë perëndimore, me shumë gjasa në Mauritani. Ky meteorit i përket familjes shumë të rrallë të angriteve, shkëmbinj vullkanikë që u formuan vetëm disa milionë vite pas lindjes së Diellit, rreth 4.56 miliardë vjet më parë. Nga mbi 80 mijë meteoritë të identifikuar deri më sot në Tokë, vetëm 68 janë angrite.
Ajo që i ka bërë gjithmonë këta meteorë të veçantë është përbërja e tyre kimike. Ndryshe nga Toka, Marsi dhe planetët e tjerë shkëmborë, angritet përmbajnë shumë pak silic, çka i kishte shtyrë shkencëtarët të besonin se ato vinin nga asteroidë të vegjël me rreze më pak se 200 kilometra.
Megjithatë, analiza e re zbuloi në meteorit kristale të mineralit klinopiroksen, me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë alumini. Kjo tregon se ato janë formuar nën presione shumë të larta, të pamundura për t’u krijuar brenda një asteroidi të vogël.
Për të rindërtuar kushtet e formimit të këtij minerali, studiuesit zhvilluan për rreth një vit një model kompjuterik. Rezultatet treguan se kristalet janë formuar nën një presion prej të paktën 17.5 kilobarësh. Për krahasim, në fund të Hendekut të Marianës, pika më e thellë e oqeaneve të Tokës, presioni arrin vetëm rreth 1 kilobar.
Llogaritjet tregojnë se trupi qiellor nga i cili kanë ardhur angritet duhet të ketë pasur një rreze minimale prej 1.000 kilometrash.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte fakti se kristalet kanë ruajtur strukturat e tyre të imta kimike. Nëse do të ishin formuar shumë thellë brenda një planeti masiv, ato do të ishin ndryshuar me kalimin e kohës. Ruajtja e tyre sugjeron se janë krijuar pranë sipërfaqes së trupit amë, gjë që nënkupton se ai ka qenë edhe më i madh.
Sipas vlerësimeve të studiuesve, ky protoplanet mund të ketë pasur një rreze mbi 1.800 kilometra, afërsisht sa Hëna, e cila ka një rreze prej 1.737 kilometrash, dhe potencialisht mund t’i jetë afruar edhe përmasave të Marsit.
Megjithëse studimi është cilësuar si shumë i besueshëm nga ekspertë të pavarur, ata theksojnë se ende nuk mund të thuhet me siguri absolute se është provuar ekzistenca e këtij planeti të humbur. Megjithatë, zbulimi mbështet idenë se në fazat e hershme të Sistemit Diellor kanë ekzistuar shumë protoplanetë, disa prej të cilëve u shkatërruan gjatë përplasjeve gjigante që formësuan planetët që njohim sot.
Sipas autorëve të studimit, fragmentet e këtij trupi mund të jenë përfshirë më pas në përbërjen e planetëve shkëmborë, përfshirë edhe Tokën. Për ta, çdo meteorit është një arkiv natyror që ruan historinë e lindjes së Sistemit Diellor, ndërsa ky fragment i veçantë mund të jetë dëshmia e vetme e mbetur nga një botë që nuk ekziston më.
