Banka e Shqipërisë do t’u japë institucioneve financiare jobanka akses direkt në sistemet e pagesave.
Me miratimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, pritet t’i hapet rrugë pjesëmarrjes si anëtarë direkt në këto sisteme edhe të institucioneve financiare jobanka të licencuara për shërbime të pagesave. Banka e Shqipërisë parashikon që ligji i ri të miratohet brenda qershorit të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, më tej pritet të jetë i nevojshëm një përditësim i kuadrit ligjor dhe nënligjor specifik të lidhur me sistemet e pagesave, për saktësimin e mekanizmave të mbrojtjes, të sigurisë dhe të elementëve të tjerë operacionalë.
Pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave është një kërkesë e hershme e institucioneve financiare të pagesave, sidomos pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, që transpozoi Direktivën Europiane të Pagesave PSD 2.
Në argumentimin e këtyre institucioneve, nuk mund të ketë konkurrencë plotësisht të drejtë dhe të barabartë në shërbimet e pagesave, për sa kohë që pjesëmarrja direkte në sistemet e pagesave mundësohet vetëm për bankat tregtare, ndërsa institucionet e pagesave duhet t’i shlyejnë detyrimisht pagesat nëpërmjet tyre.
Për këtë arsye, anëtarësimi direkt i institucioneve financiare jobanka në sistemet kombëtare të pagesave do të shënojë një risi shumë të rëndësishme në funksionimin e tregut të pagesave.
Aktualisht, pjesëmarrësit në sistemin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS) kategorizohen në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, të tërthortë dhe pjesëmarrës operatorë. Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, të cilët kryejnë pagesat direkt nga llogaritë e tyre të shlyerjes, janë Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare.
Pjesëmarrës të tërthortë, të cilët shlyejnë nëpërmjet llogarive të administruara nga Banka e Shqipërisë, janë Ministria e Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)), Banka Botërore (IBRD) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), që e kanë këtë të drejtë nga ligjet e organizimit të tyre. Banka e Shqipërisë, në rolin e saj si agjent shlyerës për klientët e saj, kryen pagesa për pjesëmarrësit e tërthortë, duke administruar llogari të posaçme për ta.
Pjesëmarrës operatorë, janë subjektet të cilët shlyejnë pozicionet e tyre nëpërmjet llogarive të shlyerjes së pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në sistemin AIPS mbi bazë të autorizimit të dhënë për ta nga këta të fundit.
Në këtë kategori përfshihen operatorë të sistemeve të shlyerjes së titujve, operatorë të sistemeve të pagesave, operatorë të shtëpive të klerimit, operatorë të skemave kombëtare të pagesave me kartë, si dhe elementë të tjerë të rëndësishëm të sistemit kombëtar të pagesave të licencuar sipas ligjit “Për sistemin e pagesave”,, si edhe operatorë të skemave ndërkombëtare të pagesave me kartë.
Ndërkohë, pjesëmarrësit në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH) kategorizohen në pjesëmarrës të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë janë subjektet që shlyejnë nëpërmjet llogarisë së tyre të shlyerjes në sistemin AIPS dhe në këtë kategori përfshihen vetëm Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare.
Pjesëmarrës të tërthortë janë subjektet të cilët shlyejnë nëpërmjet llogarisë së një pjesëmarrësi shlyerës në sistemin AIPS ose nëpërmjet llogarive të administruara nga agjenti shlyerës.
Në këtë kategori përfshihen Ministria e Financave dhe pjesëmarrës të tjerë të cilët e kanë këtë të drejtë nga ligjet e organizimit të tyre, si edhe subjektet financiare jobanka të përfshira në aktivitetin e pagesave, transfertave dhe emetimit të parasë elektronike, të cilët mund të mbajnë llogari klientësh dhe që shlyejnë nëpërmjet llogarisë së një banke në sistemin AIPS./Marrë nga Monitor/ K.M
