Last Updated on 19/11/2026 by EL
Një nga portretet më të rralla të Michael Jackson-it do të prezantohet sërish për publikun, 36 vite pas ekspozimit të tij të parë. Vepra, e titulluar “The Book”, pritet të dalë në ankand në Francë dhe vlerësohet nga 300 mijë deri në 500 mijë euro.
Piktura është realizuar në vitin 1989 nga artisti australian Brett-Livingstone Strong dhe konsiderohet si i vetmi portret formal për të cilin Mbreti i Pop-it ka pozuar gjatë karrierës së tij.
Në të, këngëtari shfaqet i ulur, i veshur me një xhaketë të kuqe dhe me duart të mbështetura mbi një libër të mbyllur. Sipas ekspertëve, vepra përmban simbole që lidhen me botën personale të Jackson-it, përfshirë edhe Neverland-in, duke sjellë një dimension më pak të njohur të artistit përtej imazhit të tij publik.
E përfunduar në dhjetor të vitit 1989, në periudhën mes albumeve të suksesshme “Bad” dhe “Dangerous”, piktura u prezantua për herë të parë në Beverly Hills, në janar të vitit 1990. Në atë kohë, ajo ishte blerë për 2.1 milionë dollarë.
Pas ekspozimit të parë, vepra u zhduk për dekada nga vëmendja publike, ndërsa rikthimi i saj konsiderohet një ngjarje e veçantë për admiruesit e këngëtarit.
Eksperti i kulturës pop Arthur Perault e cilësoi këtë prezantim si një moment të jashtëzakonshëm, duke theksuar se piktura po shfaqet për herë të parë pas 36 vitesh.
Përtej vlerës së saj në ankand, “The Book” përbën një dëshmi të rrallë artistike të trashëgimisë së Michael Jackson-it, duke rikthyer vëmendjen te një anë më intime dhe pak e njohur e Mbretit të Pop-it./et
