Më shumë se 10,000 njerëz marshuan të dielën në Stokholm, kryeqytetin suedez, në një protestë kundër ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, pak javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 13 shtatorit, ku kjo çështje renditet ndër shqetësimet kryesore të votuesve suedezë, shkruan Euronews.
Protesta vjen në një kohë kur ekspertë në Suedi dhe jashtë vendit kanë paralajmëruar se politika klimatike e qeverisë rrezikon objektivat e vendit për uljen e emetimeve konkretisht, reduktimin e emetimeve të CO₂ nga transporti me 70 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2010 deri në vitin 2030, si dhe arritjen e emetimeve neto zero deri në vitin 2045.
E organizuar nga grupe të të rinjve dhe organizata sportive, sindikata, shoqata rurale dhe grupe për të drejtat, protesta në kryeqytetin suedez përfshiu edhe aktivisten më të njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg.
“Nëse vazhdojmë kështu, do të shohim një kolaps; ne tashmë po e shohim atë,” theksoi ajo.
Një protestues tjetër, Kliff Lindberg, një student 21-vjeçar, tha se ndjente “lehtësim” kur pa një pjesëmarrje kaq të madhe. “Jemi kaq shumë njerëz që shqetësohemi për këtë problem,” tha Lindberg.
“Kjo më jep shumë forcë dhe mendoj se është diçka e bukur për t’u parë.”
Që kur mori pushtetin në vitin 2022, qeveria e krahut të djathtë e kryeministrit Ulf Kristersson ka ulur taksat mbi benzinën dhe ka lehtësuar kërkesat që detyronin furnizuesit e karburantit të përfshinin alternativa me emetime të ulëta karboni në produktet e tyre.
Veçanërisht, qeveria ka refuzuar rekomandimet e një komisioni mbi mënyrat për të arritur objektivin e vitit 2030; këto rekomandime përfshinin heqjen graduale të karburanteve fosile përmes rritjes së taksave mbi benzinën dhe naftën.
Suedezët do t’u drejtohen kutive të votimit më 13 shtator për të zgjedhur një parlament të ri, ndërsa blloku qeverisës i krahut të djathtë mbetet prapa në sondazhe, duke e bërë të mundshme një ndryshim të qeverisë.
Sipas një sondazhi të “Verian” për transmetuesin publik SVT, të publikuar të enjten, opozita e qendrës së majtë në Suedi kryeson aktualisht me 10 pikë përqindjeje ndaj koalicionit qeverisës të krahut të djathtë. Kriza klimatike është shumë reale. 37% e të anketuarve deklaruan se prioriteti kryesor i zgjedhjeve ishte ndryshimi i klimës.
Qeveria ka argumentuar se heqja graduale e karburanteve fosile duhet të bëhet në mënyrë graduale, me qëllim ruajtjen dhe forcimin e konkurrueshmërisë së Suedisë dhe të kompanive të saj.
Megjithatë, organizatorët e demonstratës argumentojnë se nevojiteshin veprime urgjente. “Kriza klimatike është shumë reale dhe ajo po ndodh tani,” tha Beatrice Rindevall, drejtuese e Shoqatës Suedeze për Ruajtjen e Natyrës, e cila është bashkëorganizatore e demonstratës së së dielës. Duke iu referuar valëve vdekjeprurëse të të nxehtit që kanë goditur Evropën këtë verë, Rindevall deklaroi: “Është koha për të zbatuar një politikë klimatike që redukton emetimet menjëherë.”/mxh
