Këngëtarja e njohur amerikane Miley Cyrus i ka dhënë fund beqarisë. Artistja 33-vjeçare dhe muzikanti Maxx Morando, 28 vjeç, janë martuar të shtunën, më 21 nëntor, në një ceremoni private të organizuar në Palm Springs, Kaliforni.
Çifti shkëmbeu betimet martesore në praninë e familjarëve dhe miqve të afërt. Sipas raportimeve të “Entertainment Tonight”, në ceremoninë e veçantë morën pjesë nëna e këngëtares, Tish Cyrus, motra e saj Noah Cyrus, si dhe babai Billy Ray Cyrus, me të cilin Miley ka pasur për vite me radhë një marrëdhënie të distancuar.
Fotografitë dhe videot nga ceremonia tregojnë se dasma u zhvillua pranë një pishine, nën një hark të zbukuruar me lule të bardha.
Miley zgjodhi një fustan nusërie elegant dhe minimalist, me shpinën e zbuluar, ndërsa flokët i kishte mbledhur në një topuz. Nga ana tjetër, Maxx Morando kishte veshur një kostum të zi.
Një ditë para dasmës, më 20 nëntor, çifti kishte organizuar edhe një darkë festive me familjarët dhe miqtë. Lily Rose Purcell, motra e Miley-t nga ana e njerkut, publikoi disa fotografi nga mbrëmja në Instagram Stories. Në njërën prej tyre shihej edhe menuja e darkës, e cila mbante inicialet “M+M”, duke iu referuar emrave të çiftit.
Propozimi romantik në Japoni
Miley Cyrus dhe Maxx Morando ishin fejuar rreth një vit më parë. Lajmi u konfirmua nga një burim për revistën “People” më 2 dhjetor 2025, një ditë pasi këngëtarja ishte fotografuar me një unazë diamanti në premierën botërore të filmit “Avatar: Fire and Ash” në Los Angeles.
Në një intervistë për revistën “Wonderland”, në korrik, Morando kishte zbuluar se propozimin për martesë e kishte bërë gjatë një udhëtimi në Kioto të Japonisë. Ishte një destinacion që asnjëri prej tyre nuk e kishte vizituar më parë, por që të dy kishin dëshiruar ta eksploronin prej kohësh.
Muzikanti tregoi se ka pasur vështirësi për ta mbajtur propozimin sekret, pasi çifti kishte diskutuar më herët mundësinë e fejesës dhe Miley kishte nisur të dyshonte se ai po përgatiste diçka të veçantë.
Sipas rrëfimit të tij, pas disa ditësh në Tokio, ata udhëtuan drejt Kiotos, ku Morando priti deri në momentin e fundit për ta surprizuar.
Ai tregoi se kishte zgjedhur një kopsht të vogël japonez, me një peizazh që ngjante me një pyll tradicional. Teksa Miley po filmonte pamjen dhe kishte kthyer shpinën, ai u ul në gjunjë dhe e preku lehtë në shpatull për t’i bërë propozimin.
Morando pranoi se kishte qenë jashtëzakonisht nervoz në ato momente, duke treguar se i rrihte zemra fort dhe djersitej nga emocionet. Ai kishte frikë se mos diçka shkonte keq, madje edhe se mund t’i binte unaza nga duart.
Një histori dashurie që nisi në vitin 2021
Miley Cyrus dhe Maxx Morando janë së bashku që prej dhjetorit të vitit 2021. Ata u njohën përmes një takimi të organizuar nga të njohur të përbashkët.
Në një intervistë për “British Vogue”, në maj të vitit 2023, këngëtarja tregoi me humor se takimi ishte i papritur për të, ndërsa për Morandon nuk kishte qenë plotësisht një takim “nga hiçi”.
Marrëdhënien e tyre çifti e bëri publike në prill të vitit 2022, kur u fotografuan duke u puthur gjatë një daljeje në West Hollywood.
Për Miley Cyrus, kjo është martesa e dytë. Këngëtarja ka qenë më parë e martuar me aktorin Liam Hemsworth. Ata u martuan në dhjetor të vitit 2018, por u ndanë në vitin 2019, ndërsa divorci i tyre u finalizua në janar të vitit 2020./mxh
