Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul sot e premte, datë 7 nëntor, bëri thirrje për një reformë të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që institucioni më i rëndësishëm global të jetë në gjendje të përballojë sfidat e shekullit XXI.
“Mbi të gjitha, kjo do të thotë që Jugu Global, veçanërisht Afrika, duhet të ketë më shumë peshë”, tha Wadephul gjatë një debati, ku u shënua 80-vjetori i OKB-së.
Ndërsa pranoi se OKB-ja ndonjëherë është e paaftë për të vepruar, diplomati i lartë gjerman tha se organizata me 193 anëtarë mbetet “forumi i vetëm ku të gjitha shtetet e botës mund të flasin me njëra-tjetrën.”
Wadephul theksoi nevojën që Gjermania të jetë e gatshme të marrë një rol udhëheqës brenda OKB-së. Gjermania është kandidate për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vitet 2027/2028.
Ligjvënës nga pothuajse të gjitha grupet parlamentare theksuan rëndësinë e këtij institucioni, ndërsa Isabel Cademartori, një socialdemokrate, e përshkroi OKB-në si “zemrën e domosdoshme të një bote të globalizuar, në të cilën asnjë krizë nuk ndalet në kufijtë kombëtarë”.
Megjithatë, Beatrix von Storch, anëtare e partisë Alternativa për Gjermaninë, e cila është kundër emigracionit dhe Bashkimit Evropian, vuri në dyshim integritetin e OKB-së.
Ajo tha se organizata dominohet nga regjime autoritare, despotë, shtete të korruptuara dhe vende në zhvillim, të cilave u lejohet të marrin vendime për shtete demokratike si Gjermania.
“Ndërkohë, kush paguan për të gjitha këto? Sigurisht, taksapaguesi gjerman”, akuzoi von Storch./ K.M
